ÇOHU: Vazhdon 'kapja' Telekomit të Kosovës

Organizata, ÇOHU ka konsideruar se zgjedhja e Gent Begollit, në krye të Telekomit do të ndikojnë në degradimin e mëtutjeshëm të kësaj kompanie të Kosovës e cila, sipas organizatës, po shkon drejt falimentimit.

Në një komunikatë për medie, ÇOHU ka thënë se vendimi i Bordit të Drejtorëve të Telekomit të Kosovës për zgjedhjen e Gent Begollit, kryeshef ekzekutiv të kësaj ndërmarrje tregon qartë tendencën e partive politike për t’i dërguar njerëzit e tyre në detyra kyçe.

“Gent Begolli është anëtar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ish-drejtor i Drejtorisë për Shërbime Publike në Komunën e Prishtinës nga kjo parti në mandatin e kaluar, me vota unanime është zgjedhur kryeshef ekzekutiv në këtë ndërmarrje e cila nga ndërhyrjet edhe politike është para falimentimit”, thuhet në komunikatë.

Begolli sipas kësaj organizate nuk është i vetmi që ka lidhje me partitë politike, apo me njerëz të politikës.

“Pjesa më e madhe e Bordit të Drejtorëve po ashtu ka lidhje me politikën. Është raportuar se në këtë bord janë përzgjedhur Besa Shatri Berisha, gruaja e deputetit të AAK-së Bekë Berisha. Skënder Hoti ishte bashkëluftëtar i Fatmir Limajt, por ka mohuar që është pjesë e Nismës Socialdemokrate. Anëtari tjetër i bordit të Telekomit Sead Ujkani është mik i deputetit të PDK-së Mërgim Lushtakut, djali i ish-kryetarit të Skenderajt Sami Lushtakut”, thuhet më tutje.

Edhe bordet e kaluara të Telekomit të Kosovës sipas organizatës ÇOHU kanë qenë me njerëz që kanë pasur lidhje të drejtpërdrejta me partitë politike që kanë qenë në pushtet.

Sipas komunikatës hulumtimet e realizuara nga ÇOHU, tregojnë se ardhja e një partie politike në pushtet shpërfaqë menjëherë ndikimin e asaj partie në punësimin e njerëzve në pozita të larta vendimmarrëse.

“Pas Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), një gjë të tillë po dëshmohet që po e bënë edhe AAK-ja, e cila është duke e udhëhequr me qeverinë. ÇOHU! konsideron se përzgjedhjet e tilla do të ndikojnë në degradimin e mëtutjeshëm Telekomin e Kosovës, kompani kjo që po shkon drejt falimentimit”, thuhet në komunikatë.

Edhe Gazeta Jeta në Kosovë, ka shkruar se Gent Begolli është zgjedhur kryeshef ekzekutiv në Telekomin e Kosovës.

Gjtihashtu, Gazeta JnK, ka gjetur lidhje politike të anëtarëve të bordit të ri të Telekomit të Kosovës.