Çoçaj e Buduri Deklarohen të Pafajshëm

Drejtori i Arsimit në Komunën e Prizrenit, Nexhat Çoçaj, dhe drejtori i Gjimnazit “Gjon Buzuku”, Shaip Buduri, u deklaruan të pafajshëm përballëakuzës për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Pasi ka lexuar aktakuzën, në fjalën hyrëse prokurori Bajram Hamitaga tha se pas hetimeve të bëra pala akuzuese ka ardhur në përfundimin se të akuzuarit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen. “Gjatë provave të cilat do t’i administrojë trupi gjykues, si dhe gjatë plotësimit të procedurave të provave padyshim do të vërtetohet përgjegjësia penalo- juridike e të akuzuarve Shaip Buduri dhe Nexhat Çoçaj”, tha ai.

Ndërsa avokatët e të akuzuarve në fjalën hyrëse thanë se gjatë procedurës së provave do të vërtetohet pafajësia e të akuzuarve.

“Me besimin në drejtësinë dhe në trupin gjykues, pas administrimit të provave, pikërisht këtyre që e mbështesin aktakuzën, i mbrojturi im do të lirohet”, tha avokati i Shaip Budurit, Esat Gutaj. [interaction id=”56e979ae51c54f4063c7d165″]

Në seancën e të martës dëshminë e dhanë edhe dëshmitarët Beqir Letaj dhe Besnik Krasniqi.

Dëshmitari Letaj, i cili është zëvendësdrejtor në Gjimnazin “Gjon Buzuku”, ndër të tjera tha se nuk ka pasur dijeni se si është pranuar në punë profesori Besnik Krasniqi.

“Nga kompetencat e mija si zëvendësdrejtor nuk kam pasë njohuri, por nuk kam as të drejtë të kërkoj nga eprorët arsyet e punësimeve me ligj apo pa ligj, me rregullore apo pa rregullore”, tha Beqir Letaj.

Ndërsa dëshmitari tjetër, Besnik Krasniqi, për punësimin e të cilit ishte ngritur kjo aktakuzë, tha se e ka dhëndër drejtorin e Gjimnazit, Shaip Budurin, dhe para trupit gjykues deklaroi se kishte bërë kërkesë te drejtori Buduri që t’i mbante orët e gjuhës shqipe pasi që profesori i kësaj lënde kishte dalë në pension. Mirëpo, Krasniqi tha se drejtori Buduri për këtë punë e kishte drejtuar te Drejtoria e Arsimit, duke i thënë se ai nuk është punëdhënës.

Po ashtu, dëshmitari tha se kishte pasur një debat të gjatë me drejtorin e Arsimit, Nexhat Çoçajn, me të cilin, sipas tij, nuk kishin arritur të dakordoheshin për punësimin e tij dhe në fund personalisht kishte vendosur të shkonte t’i mbante orët e gjuhës shqipe, edhe pse nuk kishte marrë aprovim as gojarisht dhe as me shkrim nga drejtori Çoçaj.

“Pas një debati goxha të gjatë, bën – s’bën, s’ke të drejtë – ke të drejtë… unë i kam thënë do të shkoj t’i mbaj orët pavarësisht se çfarë do të ndodhë më tutje, do të shpallet ose jo konkursi, sepse e kam ditë që do të shpallet konkurs në ndërkohë”, theksoi Besnik Krasniqi.

Më tej, dëshmitari Krasniqi tregoi se nuk ishte paraqitur fare te drejtori i Gjimnazit kur kishte shkuar të mbajë orët e gjuhës shqipe. “Unë vazhdova t’i mbaj orët pasi që nuk kishte profesor në mënyrë që të përfitonin nxënësit”, tha ai, duke shtuar se e dinte që më vonë do të hapej konkurs për këtë vend pune.

Për më tepër, dëshmitari tha se edhe përkundër faktit që e kishte dhëndër drejtorin e Gjimnazit, Shaip Budurin, asgjë nuk kishte përfituar nga ai. Madje tregoi se për 5 muajt që kishte punuar ende nuk i ka marrë pagat, të cilat tha se edhe tash nuk i kërkon fare.

Për shkak të kalimit të orarit të punës, me përfundimin e këtij dëshmitari, trupi gjykues ndërpreu gjykimin për të vazhduar më 13 prill 2016.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, Shaip Buduri derisa kryente detyrën zyrtare si drejtor i Gjimnazit “Gjon Buzuku” në Prizren ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare.

“Me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore dhe privilegjeve lidhur me punësimin e profesorit B.K. (vëlla i bashkëshortes) së të pandehurit, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin e Arsimit të Kosovës, i ka mundësuar që pranë gjimnazit “Gjon Buzuku” nga fillimi i vitit shkollor 2013/2014 deri më datë 04.02.2014 t’i mbajë orët e gjuhës dhe letërsisë shqipe”, thuhet në aktakuzë.

Ndërsa i pandehuri Nexhat Çoçaj, sipas aktakuzës, derisa kryente detyrën zyrtare si drejtor ne Drejtorinë e Arsimit në Komunën e Prizrenit, po ashtu ka keqpërdorur detyrën zyrtare.

“Me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për personin tjetër, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare duke e nënshkruar kontratën për punësim, nga data 04.02.2014 në vendin e punës profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe personit B.K. nga Prizreni, pa shpallur konkurs për vendin e punës duke shkelur seriozisht të drejtat e personit tjetër”, thuhet në dispozitivin e aktakuzës.

Çoçaj është duke u gjykuar edhe për dy raste të tjera të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar në këtë gjykatë, për të cilat KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi.

http://kallxo.com/shtyhen-seancat-e-janarit-ndaj-nexhat-cocajt/

http://kallxo.com/nje-muaj-paraburgim-per-drejtorin-e-arsimit-ne-prizren/