Clinton: Unë e dua këtë vend, është nder për mua të jem këtu

Ish-Presidenti i ShBA-ve, Bill Clinton në fjalimin e mbajtur në ceremoninë qendrore për 20 vjetorin e çlirimit ka falënderuar për pritjen e ngrohtë që i ka bërë shteti i Kosovës.

Ai ka treguar për posterin e qytetit të Prishtinës, që e mban në zyrën e tij në Amerikë, posteri është menjëherë pas përfundimit të konfliktit.

Klinton ka thënë se mban mend fytyrat e kosovarëve kur ishte në Kosovë para 20- vjetësh në një shkollë në Ferizaj.

“SHBA ka qenë pranë jush që 20 vite, pavarësisht se çfarë partie politike ka qenë në Shtëpinë e Bardhë. Pasardhësi im, Xhorxh Bush, njohu shtetin e Kosovës. Ju keni arritje, natyrisht që keni punë për të bërë, por shikoni se në çfarë keni arritur. Kosova për SHBA dhe për botën ka ngritur në këmbë diçka më të madhe se vetvetja. Kështu që para se të mendoni për gjërat që doni t’i bëni jeni mirënjohës sepse pas kaq vjetësh nuk ka pasur kthim të sulmeve ndëretnike dhe, djegie të shtëpive apo diçka tjetër, kjo është meritë e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Klinton.