Ilustrim - Gjykata e Gjakovës

Çka deklaroi para Policisë Pjeter Nrecaj për vrasjen e bashkëshortes dhe vajzës

Në një bisedë për KALLXO.com, Ali Uka, prokurori i cili po heton vrasjen në Brekoc të Gjakovës, ka shpjeguar të dhënat të cilat i kanë deri më tani rreth vrasjes.

Uka ka sqaruar se për momentin kanë në dispozicion vetëm deklaratën e të pandehurit dhe provat e tjera materiale.

Duke cituar pjesë nga deklarata e të pandehurit, prokurori ka thënë se i dyshuari në deklaratën e parë ka mohuar se kur është nisur për te shtëpia e miqve ka pasur për qëllim kryerjen e vrasjes.

“Në deklaratën e tij i pandehuri ka thënë se ka shkuar në shtëpinë e miqve për t’u marrë vesh që të pajtohet me bashkëshorten dhe të vazhdojnë jetën. Aty ai ka deklaruar se ka pasur një konflikt me familjarët, konflikt ky i cili ka rezultuar me shtyrje dhe fyerje”, ka thënë prokurori.

Gjithnjë sipas prokurorit, i pandehuri ka deklaruar në Polici se pas shtyrjeve ai ka nxjerrë armën automatike dhe ka qëlluar me të disa herë.

“Ende nuk e dimë saktë se në sa persona ka qëlluar i dyshuari”, ka vazhduar tutje prokurori.

Ai ka sqaruar se dorasi pasi kishte kryer aktin kishte humbur ndjenjat dhe ishte dërguar në Spitalin e Gjakovës.

Prokurori ka sqaruar se përpos deklaratës së të pandehurit ende nuk i kanë marrë deklaratat e dy vëllezërve të viktimës dhe disa dëshmitarëve të tjerë të cilët janë të shokuar nga ngjarja.

40 vjeçari dyshohet se mbrëmë qëlloi për vdekje ish-gruan dhe vajzën 9 vjeçare.

Kallxo.com raportoj për problemet e çiftit të cilat ishin nisur kohë më parë.

https://kallxo.com/vrasja-ne-gjakove-ky-ishte-burimi-i-konfliktit-te-qiftit-nrecaj/

 

KALLXO.com raportoi poashtu se policia ishte e paralajmeruar se nje gje e tillë mund të ndodhte.  Brenda pesë orësh, Policia e Kosovës nuk kishte arritur ta identifikonte vendndodhjen e njeriut i cili po e kërcënonte  ish-gruan e tij. Në raportet zyrtare të siguruara nga KALLXO.com viktima ishte ankuar në ora 16:00 në Polici se po kërcënohej nga ish-bashkëshorti i saj.

Në një përgjigje zyrtare për KALLXO.com, Policia e Gjakovës ka konfirmuar se ishte e njoftuar për kërcënimin por nuk kishte arritur ta identifikonte vendndodhjen e dorasit.

“Në ora 16:00 viktima ka raportuar se është kanosur nga i dyshuari. Policia i janë përgjigjur rastit, kanë ndërmarrë veprimet operative duke e kërkuar të dyshuarin në shtëpinë e tij dhe në lokacione të ndryshme, është tentuar të kontaktohet edhe përmes telefonit por i njëjti nuk është paraqitur”, ka thënë Lirie Podrimaj zyrtare për informim në Policinë e Kosovës. Ajo nuk ka dhënë detaje pse shtëpia e viktimës nuk është vënë nën mbikëqyrjen e Policisë.

Të dhënat e siguruara deri më tani nga KALLXO.com flasin se çifti kishin probleme në të kaluarën.

Detajet për këtë janë konfirmuar nga kryeprokurori i Gjakovës, Ali Selimaj. “Viktima është ankuar në polici për kërcënimin policia ka shkuar në shtëpinë e të dyshuarit dhe ka tentuar ta kontaktoj por ka qenë e pamundur”, ka thënë Selimaj.

Ai ka shtuar se dorasi është person i njohur për Prokurorinë dhe ishte i njohur pasi ndaj tij ka një procedurë penale.

Selimaj ka përgënjeshtruar lajmet se i dyshuari ishte liruar dje nga paraburgimi.

Në një bisedë për KALLXO.com, Selimaj ka konfirmuar se i dyshuari ishte në paraburgim nga data 12 maj deri në 6 qershor të këtij viti dhe ndaj tij ka një aktakuzë për dhunë në familje e cila është dorëzuar në Gjykatë.

Në rrethana ende të pasqaruar një 40 vjeçare dhe vajza e saj u qëlluan për vdekje mbrëmjen e datës 7 gusht. Dorasi dyshohet të jetë bashkëshorti i 40 vjeçares. Çifti jetonin të ndarë prej disa muajsh dhe kishin pesë fëmijë, dy prej të cilëve jetonin me të atin dhe tre me nënën.

Viktima siç mëson KALLXO.com është me prejardhje nga Tropoja ndërsa jetonte nga paslufta me familjen e saj në Gjakovë.