Çitaku organizoi pritje për gjeneralin Wesley Clark në 20 vjetorin e bombardimeve të NATO-s

Ambasadorja e Kosovës në ShBA, Vora Çitaku, me rastin e 20 vjetorit të ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në Kosovë ka organizuar pritje gjeneralit Wesley Clark.

“Dua të falënderoj Kryetarin e Komisionit për punë të jashtë të kongresit amerikan Eliot Engel për fjalimin domethënës. Jemi të inkurajuar nga prezenca dhe fjalimi i ndihmës sekretar për Evropë, Phillip Reeker. Falënderojmë zotin Jim O’brien, Matt Palmer, Brock Bierman, James Rubin, Daniel Server, Mike Hatzel, Jim Hooper dhe shumë e shumë të tjerë që na nderuan sonte”, ka shkruar Çitaku në rrjetin social ‘Facebook’.

Ambasadorja Çitaku gjithashtu ka shprehur falënderim edhe për komunitetin shqiptaro-amerikan.

Me 11 korrik të 1997 Wesley Clark ishte emëruar komandant Suprem i Forcave të Bashkuara të NATO-s për Evropë, ndërsa me 23 mars 1999, pasi kishte marrë urdhër nga sekretari i Përgjithshëm Havier Solana, kishte udhëhequr bombardimet e NATO-s ndaj çarqeve serbe që po kryenin krime në Kosovë.