Ndërtesa qeveritare në Shkup - Foto: BIRN

Çfarë thoshin Ziadin Sela dhe Ali Ahmeti Rreth Ligjit për Gjuhën?

Një ndër përpjekjet afro 20 vjeçare të shqiptarëve të Maqedonisë për futjen e gjuhës shqipe në përdorim si gjuhë zyrtare në këtë shtet, u realizua ditë më parë nga Parlamenti i shtetit fqinj.

Ligji që rrjedh nga Marrëveshja e Ohrit e arritur në vitin 2001 që parashihte mos-dikriminim për popullsinë jo-shumicë shqiptare në Maqedoni, u votua të enjten nga 69 deputetë.

Parti dhe liderë të ndryshëm partiakë shqiptarë në Maqedoni kishin realizuar fushata duke pasur një zotim kyq, arritjen e shtrirjes së gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në të gjithë territorin e shtetit me 1.2 milionë banorë.

Emisioni, “Jeta në Kosovë”, kishte realizuar intervista në kohë të ndryshme me liderë të partive shqiptare në Maqedoni.

Ziadin Sela, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët, që arriti të fitojë 3 ulëse në parlamentin maqedonas, në dhjetor të vitit 2016, theksoi se ligji për gjuhët ishte një prioritet në politikbërjen e tij.

“Do t’i jap përkrahje asaj qeverie e cila më voton ligjin për gjuhën shqipe, buxhetin me prerje lokale….Nëse prisni që unë t’i jap votën Nikolla Gruevskit i cili del dhe publikisht, të gjithë fushatën elektorale e ka që kurrë nuk do të bëhet shqipja zyrtare, që nuk ka të drejtë ta thotë, kjo s’ka për të ndodhur kurrë”, tha Sela.

Ai e përsëriti këtë në maj të vitit 2017, pasi kishte pësuar nga një sulm në Kuvendin e Maqedonisë.

Ne do të harxhojmë energjinë dhe potencën politike që kemi marrë nga shqiptarët për të sjellë ndryshime në ligje të prekshme…, duke nisur nga ligji për përdorimin e gjuhëve”, tha Sela.

Në anën tjeër, në maj të vitit 2016, Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti ishte shprehur i sigurtë se miratimi i ligjit për gjuhën është cështje kohe.

“Mendoj që është çështje kohe se kur do ta vendosim në tavolinë për zgjidhje përfundimtare. Një marrëveshje e dalë nga lufta, e dalë nga një kompromis dhe pajtim shumë i madh që është bërë mes dy komuniteteve të mëdha nuk ka qenë edhe e lehtë të realizohet në praktikë”, tha ai.

KALLXO.com ka raportuar lidhur me reagimet pas miratimit të këtij ligji.

http://kallxo.com/ali-ahmeti-bashkimi-ben-fuqine/