Foto: BE

Çfarë nënkupton ideja e Daçiqit për ndarje etnike mes shqiptarëve dhe serbëve?

Liderët e institucioneve të Serbisë kanë shpalosur qëndrimin e tyre “zyrtar” lidhur me ndarjen në vija etnike të shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve në kuadër të një marrëveshje të mundshme mes dy vendeve.

Zëvëndëskryeministri, njëherësh ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, të martën deklaroi se, propozimi zyrtar i Serbisë, për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, është “ndarja e kufirit mes serbëve dhe shqiptarëve”.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se këtë propozim e ka dhënë para dy vjetësh.

Ndërkohë, për njohës të rrethanave politike në Kosovë, ndarja etnike mes dy popujve i përshtatet idesë së presidentit Hashim Thaçi për “korrigjim të kufijve”.

Analisti politik, Imer Mushkolaj thotë për KALLXO.com se kur Serbia flet për kufizim mes shqiptarëve dhe serbëve, atëherë sipas tij, flet për ndarje të Kosovës.

“Serbia në këtë mënyrë nuk e njeh Kosovën si shtet, pra nuk i njeh kosovarët si komb dhe zakonisht në terminologjinë politike udhëheqësit e Serbisë i shmangen faktit se Kosova do të mund të përkufizohet me Serbinë, ose është e rëndësishme që Serbia të përkufizohet me Kosovën por thonë se do të ketë përkufizim mes shqiptarëve dhe serbëve që është një ide e vjetër e që nënkupton vetëm ndarjen e Kosovës ose me termin më të butë që tash po përdoret, korrigjimin e territoreve”, theksoi ai.

Sipas Mushkolajt, me këtë logjikë Serbia konsideron se Kosova nuk ekziston si shtet i pavarur.

“Kjo është gjithë poenta e deklaratave të tilla e fatkeqësisht kjo qasje e  Serbisë, të paktën propozimet që janë bërë deri tash, e ka gjetur edhe përkrahjen nga vetë presidenti i vendit Hashim Thaçi për korrigjim”, vlerësoi analisti.

Ndërkaq, politologu Ramush Tahiri shprehet se ky propozim nuk është as ndarje e Kosovës e as e Serbisë, por sipas tij është ndarje mes dy popujve kudo që i bie territori, nëpër Serbi ose nëpër Kosovën e sotme.

“Ky qëndrim zyrtar serb përputhet me idenë që ka thënë presidenti Vuçiq që nuk e pranojnë Kosovën në këta kufij e që duhet të bëhen kufij të rinj. Pak a shumë përputhet edhe me propozimin e Hashim Thaçit, i cili thotë se në Kosovë do të futen shqiptarët që jetojnë në Serbi”, theksoi Tahiri.

Se si do të përfundojë e gjithë kjo, sipas analistit politik, varet nga dakordimi mes Kosovës dhe Serbisë dhe se si bisedohet në tavolinën e diskutimit mes dy vendeve.

Në anën tjetër, Imer Mushkolaj vlerëson se situata aktuale varet edhe nga qëndrimi i fuqive të mëdha botërore siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Varet shumë se si do t’i qasemi ne si Kosovë dhe varet shumë se si fuqitë e mëdha, si Shtetet e Bashkuara, e shohin këtë si një zgjidhje për me i dhënë fund këtij konflikti disa dekadësh mes të dy popujve. Joserioziteti, sidomos i klasës politike kosovare, e bën edhe më të vështirë për t’iu qasur më seriozisht kësaj teme”, theksoi ai.

Sipas Mushkolajt, është shumë vonë që të parandalohet ajo që ministri serb Daçiq po e quan “përkufizim” e që presidenti Thaçi po e quan “korrigjim i kufijve”.

Kurse, Ramush Tahiri vlerëson se ende nuk dihet nëse një marrëveshje e tillë eventuale është pozitive apo negative.

“Nëse dy popujt duan të bëjnë kufij etnikë siç është populli serb dhe shqiptarë, atëherë kjo është kërkesë legjitime. Ndarja etnike bëhet në bazë të regjistrimit të situatës, shikohet cili katund është serb mbetet në Serbi, cili katund është shqiptar mbetet në Kosovë, ndërkaq nga mjediset që mbesin jashtë kufijve, nuk ka shpërngulje të popullatës”, tha ai.

Politologu shtoi se ka shtete që e përkrahin këtë propozim dhe thonë që është çështje e Kosovës dhe Serbisë se si merren vesh dhe çfarë kufiri duan ta kenë dhe ka shtete që nuk e përkrahin këtë ide, siç është Gjermania.

Ndërkohë, deklaratën e ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, sot e komentoi edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili shtoi se ndarjet etnike shkaktuan tragjedi në Ballkan.

“Qëndrimi i Daçiqit nuk është qëndrim i ri. Ai veç sa e konfirmoi atë që është qëndrim zyrtar. E kjo i ka shkaktuar tragjeditë në Ballkan. Këto deklarime janë të rrezikshme. Kushdo në Europë dhe në botë nuk i kupton këto deklarime për ndarje në vija etnike”, tha Haradinaj sot në një konferencë për shtyp në Prishtinë.

https://kallxo.com/haradinaj-ndarjet-etnike-shkaktuan-tragjedi-ne-ballkan/

www.kallxo.com