Certifikohen pjesëtarë të FSK-së për përdorim të pajisjeve detektuese

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se në kazermën “Evropianët e rinj’’ të Regjimentit të Mbrojtjes Civile në Pomozatin, për 11 ditë me radhë kanë zhvilluar trajnimin për përdorimin e pajisjeve të reja detektuese të rrezeve: Alfa, Beta dhe Gama, si dhe për përdorimin dhe ndërtimin e stacionit të dekontaminimit në masiv nga materiet e rrezikshme, mbajtur nga instruktorë të ekipit DITRA- të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Siç bëhet e ditur përmes një postimi në ‘Facebook’, në këtë trajnim kanë marrë pjesë 37 pjesëtarë, ku 4 prej tyre, përfaqësues të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, me komandantin e Kompanisë së Kimisë, majorin Florenc Veliu.

“Me këtë rast, kompania e MKAB-së e FSK-së, ka përfituar njohuri të reja duke e rritur edhe më tutje nivelin operacional. Rëndësi e veçantë e këtij trajnimi ishte edhe shkëmbimi i përvojave në mes të njësisë së kimistëve nga Republika e Shqipërisë dhe Kompanisë së MKAB-së nga Republika e Kosovës”, thuhet në postimin e Ministrisë së Mbrojtjes e Republikës së Kosovës.