Foto: KALLXO.com

Certifikohen kandidatët e Listës Serbe për zgjedhjet në veri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar katër kandidatët e Listës Serbe, të cilët kandidojnë për komunat veriore, në zgjedhjet e parakohshme.

Certifikimi i tyre është bërë pasi që PZAP-i e ka urdhëruar KQZ-në ta bëjë një gjë të tillë, pasi dje KQZ-ja nuk i ka certifikuar ata dhe për këtë kishte dërguar ankesë Lista Serbe.

Vendimi u bë me shumicë të votave të anëtarëve të KQZ-së dhe me kundërshtimet e anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, tha para anëtarëve se nga PZAP është pranuar pjesërisht ankesa e Listës Serbe por është anuluar vendimi i KQZ-së.

“Urdhërohet që KQZ-ja ta certifikoj subjektin e Listës Serbe me kandidatët për kryetar të komunave për zgjedhjet e jashtëzakonshme. Vendimet e PZAP-ës janë të obligueshme sipas ligjit, tashmë kemi urdhrin e PZAP-së të certifikohet Lista Serbe me 4 kandidatët e saj”, sqaroi Daka.

E në lidhje me vendimin e PZAP që kandidatët e Listës Serbe të certifikohen për zgjedhje nuk u pajtua, anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi.

Ai tha se sipas ligjit duhen edhe 24 orë për të shikuar nëse ka ankesa.

“Unë mendoj se duhet pritur 24 orë nëse ka ankesa dhe më pas të marr vendim gjykata supreme. Nuk mund të merret vendimi sot pa përfunduar afati 24 orë që është cënuar e drejta themelore, duhet pritur deri nesër në ora 16 a ka ankesa apo jo”, tha ai.

Për këtë, Daka i tha se të drejtën për ankesë e kanë vetëm Lista Serbe dhe KQZ-ja së bashku si organ.

Në lidhje me këtë përfaqësuesi i Listës Serbe u shpreh se nuk do të ankohen dhe po ashtu as KQZ vendosi që të mos ankohen.

KQZ-ja ka miratuar edhe raportin për Kuvendin e Kosovës për vitin 2018. Po ashtu ky komision ka emëruar Bekir Qusaj nga PDK-ja si anëtar në Kuvendin Komunal të Dragashit, i cili ishte zëvendësim i Vehbi Nazifit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dje nuk ka arritur të certifikojë dje kandidatët e Listës Serbe për kryetar të katër komunave në Veri.

Dy abstenimet e anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi dhe Nazlie Bala nuk krijuan 8 votat e mjaftueshme për t’u certifikuar këta kandidatë.

Ky refuzim i VV-së vjen pasi që 3 nga katër kandidatët e propozuar nga Lista Serbe janë pikërisht kryetarët e dorëhequr.