Certifikimi i auditorëve | Foto: KALLXO.com

Certifikohen 57 Auditorë të Sektorit Publik

Në një ceremoni të organizuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit 57 punonjës të saj u pajisën me certifikata profesionale të auditimit.

“Zyra e Auditorit të Përgjithshëm përmes programit të saj ka arritur ngritjen profesionale të personelit. 57 prej tyre pajisen me certifikatën e auditorit të certifikuar të sektorit publik. Kjo padyshim është një arritje e madhe për një institucion të ri për nga mosha, por jo për nga përvoja dhe rezultatet e arritura deri më tani,” tha auditori i përgjithshëm Besnik Osmani.

Në ceremoninë e certifikimit të auditorëve ishte i pranishëm edhe Presidenti Hashim Thaçi.

Thaçi tha se forcimi i Zyrës Kombëtare të Auditimit i ndihmon llogaridhënies së institucioneve.

“Zyra Kombëtare e Auditorit sot është një institucion i rëndësishëm dhe kredibil i vendit që kontribuon në përmirësimin e qeverisjes dhe rritjen e llogaridhënies në institucionet publike,” tha Thaçi.

Presidenti më tutje tha se ligji i ri për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit do t’i ndihmojë pavarësisë së këtij institucioni.

“Ligji i ri avancon edhe më tej pavarësinë funksionale dhe financiare të auditimit dhe si President i vendit pres avancim dhe ngritje të kapaciteteve të kësaj zyreje,” tha Thaçi.

Në këtë ceremoni të pranishëm ishin edhe auditorët nga Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi të cilët e cilësuan progres  ngritjen e kapaciteteve të personelit të Zyrës Kombëtare të Auditimit.