Certifikohen 43 ekspertë të forenzikës financiare, dy nga ta gazetarë të KALLXO.com

43 zyrtarë janë certifikuar nga programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë dhe Shoqata e Kontabilistëve të Certifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (ShKCAK), pasi kanë përfunduar programin njëvjeçar të trajnimit për forenzikë financiare, për gjurmimin e parave të paligjshme.

Në mesin e të certifikuarve janë edhe Visar Prepreza dhe Rrahman Ramaj nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN).

Siç bëhet e ditur përmes një komunikate për media, ky program  ka kontribuar në avancimin e aftësive të hetuesve që merren me çështjet e krimit financiar dhe rastet e korrupsionit ku u aftësuan prokurorë, zyrtarë nga Policia e Kosovës, Agjencia Kundër Korrupsionit, Njësia e Inteligjencës Financiare, Administrata Tatimore dhe Doganat, si dhe gazetarë hulumtues.

“Në ngjarje morën pjesë  Patrick Etienne drejtor i Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim (SDC), Anders Kragh Bingen, përfaqësues i Agjencisë Daneze për Zhvillim Ndërkombëtar (DANIDA), Valbona Bogujevci asistente e Përfaqësueses së Përhershme dhe Koordinatore e Programit në UNDP dhe Ardiana Bunjaku, Drejtoreshë Ekzekutive e ShKÇAK, duke iu drejtuar, Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, Kryeprokuror, Rashit Qalaj, Drejtor i Policisë, Bahri Berisha, Drejtor i Shërbimit Doganor, Ilir Murtezaj drejtor i Administratës Tatimore, Shaip Havolli, Drejtor i Agjencisë Anti-Korrupsion dhe Behar Xhema, Zëvendës Drejtor i Njësitit të Inteligjencës Financiare”, njofton UNDP.

Në këtë rast, drejtori i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim (SDC), Patrick Etienne, kërkoi nga të gjithë krerët e institucioneve për të ngritur numrin e rasteve korruptive që ndiqen penalisht dhe rikuperimin e pasurive të vjedhura.

Ndërsa, Valbona Bogujevci, asistente e Përfaqësueses së Përhershme dhe koordinatore e programit në UNDP, tha se ky program ka qenë një nga ushtrimet me të të dobishme të zhvillimit profesional për të luftuar korrupsionin.

“Unë sinqerisht besoj se ky program ka qenë një nga ushtrimet më të dobishme të zhvillimit profesional që i janë dhënë hetuesve të krimit financiar dhe korrupsionit. Dëshiroj të përgëzoj me gjithë zemër pjesëmarrësit që kanë përfunduar këtë program të vështirë. Ne do të vazhdojmë të punojmë me këta ekspertë për të avancuar edhe më tutje njohuritë e tyre”, citohet të ketë thënë ajo.

Lirim Dervisholli, nga Njësia Kundër Korrupsion në Policinë e Kosovës, u shpreh se kanë fituar njohuri dhe aftësi përmes këtij programi.

“Si ekspertë ligjorë financiarë, ne kemi fituar njohuri dhe aftësi unike përmes këtij programi. Tani jemi në gjendje të zbatojmë metoda dhe teknika të reja në zbulimin, zgjidhjen dhe dokumentimin e krimeve financiare”, thekosi Dervisholli.

Siç bëhet e ditur, ky program, që ka zgjatur 11 muaj gjatë të cilëve janë zhvilluar rreth 170 orë mësimi dhe 2 provime, është mundësuar përmes Projektit të UNDP-së për Mbështetje Përpjekjeve Anti-Korrupsion në Kosovë (SAEK II), që financohet nga SDC dhe DANIDA.