Caktohet Data e Gjykimit të Sami Lushtakut për Arratisjen nga QKUK

24 persona, në mesin e tyre edhe kryetari aktual i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, i biri i tij, Mërgimi (tani deputet i Kuvendit të Kosovës), zyrtarë të lartë të Ministrisë së Drejtësisë dhe gardianë, në muajin shtator do të dalin para Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Aktakuza e ngritur nga një prokuror i EULEX-it ka të bëjë me pretendimet për arratisjen e Sami Lushtakut, Sahit Jasharit dhe Ismet Haxhës nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK).

Ndonëse aktakuza ishte ngritur në muajin tetor të vitit të kaluar seanca fillestare në këtë çështje do të mbahet pas afër një viti.

Fillimin e gjykimit në shtator e konfirmoi për KALLXO.com zyrtarja për informim e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.

“Lidhur me kërkesën tuaj ju njoftojmë se kjo lëndë është caktuar të mbahet me dt.25.09.2017 në ora 09.30 ne objektin D, Departamenti për Krime të Rënda”, thuhet në përgjigjen e dërguar nga Gashi.

Për këtë çështje KALLXO.com përmes telefonit ka kontaktuar edhe me avokatin e Lushtakut, Arianit Koci, i cili ka thënë se nuk ka ndonjë informacion lidhur me caktimin e gjykimit.

Lushtaku, i akuzuar për krime të luftës në një proces që zgjati disa vjet, u shpall i pafajshëm me vendim të Gjykatës Supreme të Kosovës dhe u lirua nga të gjitha akuzat.

Aktakuza e cila përfshin një varg zyrtarësh të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, përshkruan në detaje pretendimet për mënyrën se si u arratis Lushtaku nga burgu duke treguar makinën dhe personin i cili e barti atë nga spitali drejt një banese.

E njëjta përshkruan mënyrën se si pas arratisjes së Lushtakut drejtori i Burgut të Prishtinës ishte avancuar në krye të Shërbimit Korrektues.

Arratisja e Lushtakut e Emëroi Thaqin Drejtor Burgu

Pjesë e aktakuzës është edhe i biri i Lushtakut, Mërgimi, roli i të cilit përshkruhet në këtë akt të Prokurorisë.

Aktakuza përshkruan edhe përfshirjen e zyrtarëve tjerë të Ministrisë së Drejtësisë, të cilët refuzuan ta transferonin Lushtakun në Burgun e Mitrovicës.

Në këtë aktakuzë edhe mjekë të QKUK-së ngarkohen se dhanë diagnoza të falsifikuara për Lushtakun, e po ashtu pjesë e aktakuzës janë edhe bashkëpunëtorë të Lushtakut të cilët u ofruan dëshmitarëve para e banesa në këmbim të deklaratave.