Caktohet data e gjykimit ndaj Adem Grabovcit dhe të tjerëve në rastin 'Pronto'

Është caktuar data dhe ora kur do të mbahet seanca e radhës e rastit të njohur për publikun si rasti “Pronto”.

Më 26 qershor nga ora 9 do të filloj seanca gjyqësore në rastin “Pronto”.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar avokatja Albana Kelmendi.

Seanca e 26 qershorit do të jetë seanca e parë pas konfirmimit të aktakuzës nga ana e Gjyktës së Apelit.

Më 31 maj të këtij viti KALLXO.com kishte raportuar se Gjykata e Apelit ka refuzuar kërkesën e avokatëve për hedhje të aktakuzës në rastin e njohur si “Pronto”.

Në këtë çështje penale janë të akuzuar njëmbëdhjetë persona, ish-deputeti Adem Grabovci, ministri aktual Besim Beqaj, deputeti aktual Zenun Pajaziti, dy ish-sekretarë të përgjithshëm, Ilhami Gashi dhe Xhavit Dakaj, ish-zëvendësministri Fatmir Shurdhaj, këshilltari politik në MPB Sadat Gashi, ish-drejtori i bordit të ndërmarrjes publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë Ismet Neziraj, ish-drejtori i bordit të ndërmarrjes publike “Hidro-Drini” në Pejë Rexhë Abazi, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit Nijazi Kryeziu dhe ish-shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti.

“Sipas aktakuzës së prokurorisë, të gjithë këta po akuzohen se në formë të bashkëpunimit- bashkëkryerjes, kanë kryer veprës penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës” nga neni 193 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në njoftimin e Apelit.

Sipas vendimit të Apelit, ekzistojnë prova të mjaftueshme të pranueshme për të vazhduar tutje gjykimi.

“Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, në aktvendimin e kundërshtuar, gjykata e shkallës së parë, ka dhënë në mënyrë të mjaftueshme  për këtë fazë të procedurës penale, arsye lidhur me dyshimin e bazuar  mirë, rreth provave të kundërshtuara, dhe se  drejt ka vërtetuar se ekzistojnë prova të mjaftueshme të pranueshme në aspektin ligjor-procedural, për të vazhduar më tutje. Se a do të vërtetohet fajësia e tyre, mbetet të shqyrtohet gjatë fazave të ardhshme të procedurës penale dhe shqyrtimit kryesor të çështjes, e që në këtë fazë të procedurës penale fajësia nuk mund të supozohet as nga gjykata e as nga palët”, thuhej në fund të njoftimit.

 

https://kallxo.com/vendimi-i-apelit-adem-grabovci-dhe-te-tjeret-do-te-gjykohen-per-rastin-pronto/

https://kallxo.com/avokatet-ne-rastin-pronto-thone-se-aktakuza-u-ngrit-si-rezultat-i-presionit-mediatik/

KALLXO.com vazhdimisht ka raportuar për rastin “Pronto” tpër të cilin mund të lexoni në këtë link.