Ministri Shyqiri Bytyqi - Foto: KALLXO.com

Bytyqi: Reduktimi i Universiteteve nuk u Konvenon Vetëm Rektorëve

Gjashtë universitetet publike që ekzistojnë në Kosovë mund të reduktohen në dy duke shndërruar të tjerat në kampuse apo degë të universiteteve qendrore.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, foli lidhur me idenë për ristrukturimin e universiteteve publike në vend që sipas tij nuk po tregojnë cilësinë e duhur.

Në një intervistë për KALLXO.com Bytyqi tha se vendimi për formimin e gjashtë universiteteve në gjashtë rajone  që ishte bërë në kohën e Kryeminisrit Hashim Thaçi ,ishte bërë pa vlerësim paraprak.

“Ajo çfarë është në të kaluarën në momentin e hapjes, pa dashur të diskutoj pse janë hapur gjithë këto universitete nuk është bërë një vlerësim i nevojave të hapjes së universiteteve publike…dhe kur gjërat bëhen pa vlerësim ka një risk të madh që gjërat të mos funksionojnë”, tha Bytyqi.

Ai gjithashtu tha se kundërshtimet publike që i erdhën kësaj ideje mund të jenë nga interesat që rektorët mund të kenë për të mos humbur vendin e punës.

“Këtu mund të jetë ndonjë interes individual i ndonjë rektori që mund ta sheh rrezikun që nuk do të jem rektor më, po konsideroj se interesi individual nuk mund të matet me interesin e përgjithshëm të shoqërisë”, tha Bytyqi.

Bytyqi theksoi se nëse ky plan implementohet, studentët nuk do të kenë pasoja dhe profesorët nuk do të mbesin pa punë.

“Ne nuk guxojmë edhe më tutje për x arsye të hapjes së këtyre universiteteve të lejojmë të na funksionojnë universitete publike me një cilësi të ulët dhe me një qëndrueshmëri në pikëpyetje..Këto universitete mund të jenë dy universitete në tërë Kosovën, të tjerat si kampuse apo degë të universiteteve por gjithmonë duke i rishikuar programet aktuale që ekzistojnë, nuk do të ketë asnjë ndërprerje të programit të studentëve aktualë”, tha Bytyqi.

Lidhur me riorganizimin e universiteteve, ministri Bytyqi ka formuar një grup punues i cili pritet të dalë me një rekomandim javëve në vazhdim.

Me idenë e ministrit është pajtuar edhe analisti, Dukagjin Pupovci, i cili konsideron se numri i madh i universiteteve dhe shumëfishimi i programeve të studimit në rajone po krijon një efekt zingjiror të rënies së cilësisë.

“Mendoj se është një hap i qëlluar që të analizohet gjendja në institucionet publike të arsimit të lartë pasi aty ka probleme të natyrave të ndryshme. E para, ka një mungesë të theksuar të stafit akademik të kualifikuar që, pa dyshim, ndikon në cilësi. Pastaj, ka shumëfishim të programeve mësimore që ndikon në hiperproduksion të kuadrove në disa fusha, siç është ajo e drejtësisë. E kemi edhe fenomenin e varësisë së ketyre universiteteve nga angazhimi  stafit akademik të UP që ndikon në rënie të cilësisë në UP”, tha Pupovci për KALLXO.com,

Bytyqi në këtë intervistë foli edhe lidhur me çështjet e arsimit parauniversitar , ndërsa pjesë të kësaj interviste do të publikohen ditëve në vazhdim.