Bytyqi raporton në Komision për tekstet shkollore, thotë se do të pilotohen

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka raportuar në Komisionin për Arsim lidhur me tekstet e reja shkollore, të cilat janë kritikuar nga shoqëria civile.

Anëtarët e këtij Komisioni e pyetën ministrin në lidhje me recensentët që janë angazhuar në këtë proces të teksteve të reja shkollore dhe rreth vlerësimit të librave nga ana e tyre.

Kryetari i këtij Komisioni, Ismajl Kurteshi e pyeti se kush janë recensentët dhe së nga çfarë profile vijnë atë.

Kurse, anëtarja e PDK-së në këtë Komision, Luljeta Veselaj Gutaj tha se kodet e shtëpitë botuese nuk kanë arritur të fshihen për kohën sa kanë qenë në Durrës dhe se sipas saj recensentët kanë bashkëbiseduar me shtëpitë botuese, për të cilën kërkoi sqarime nga ana e Bytyqit.

“Tjetër është edhe se recensentët e nivelit bachelor konsiderohen si ekspert të fushës së caktuar”, tha ajo tutje.

Ndërsa anëtari nga PSD në këtë Komision, Driton Çaushi tha se ministri Bytyqi duhet ta shikojë mundësinë e kthimit nga zero të këtij procesi.

“Duhet të merren seriozisht edhe thirrjet e shoqërisë civile të cilët kanë identifikuar, edhe thirrjet e tyre që të përsëritet. Sepse nëse riprodhohet një tekst shkollor me gabime të njëjta atëherë kjo do të jetë problematikë”, tha Çaushi.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi në fjalën e tij tha se anëtarët duhet të sigurojnë që informacionet e tyre janë të sakta.

“Duhet të siguroheni që këto janë informacione zyrtare dhe ta keni pasqyrën e qartë sepse me këto informacione që keni  kam frikën që keni krijuar paragjykime”, iu drejtua ai deputetëve.

Ministri tha se të gjithë recensentët dhe shtëpitë botuese kanë qenë të koduara.

“Çdo dorëshkrim që është dorëzuar në MAShT, menjëherë  ka qenë i koduar dhe s’kanë qenë të njohur për askënd përveç pjesëtarët që janë marrë me këtë çështje njësoj edhe recensentët”, tha Bytyqi.

Ai theksoi se vlerësimi i teksteve në Shqipëri është bërë për shkak të kostos financiare.

“Ne kemi marrë vendim që ato të shkojnë në Shqipëri të rishikohen, sepse kostoja e hoteleve atje ka qenë më e ulët sesa ne Kosovë. 76 mijë euro kemi shpenzuar për të dy shpalljet publike për dorëshkrimet e librave”, tha ministri.

Ai iu përgjigj deputetes së PDK-së në lidhje me komunikimin e recensentëve me shtëpitë botuese.

“As unë s’e kam ditur dhe s’është e vërtetë qe kodimet i kanë ditë shtëpitë botuese, kjo është shumë imagjinare që kanë biseduar në telefon recensentët. Nëse ka fakte të tilla duhet te shkohet në organet kompetente”, tha ministri.

Bytyqi theksoi se këto libra do të pilotohen, gjë që bëri të reagojë kryetari i Komisionit për Arsim, Ismajl Kurteshi i cili tha se kjo është joligjore.

“Të gjitha librat do të pilotohen dhe MAShT së bashku me akterët kryesorë do ta vlerësojë dhe nëse gjen ndonjë gabim do ta tërheq çfarëdo libri që nuk është vlerësuar mirë nga ana e recensentëve dhe ata do të ndëshkon nëse kanë lëshuar gabime të tilla”, tha ministri i Arsimit.

Kurteshi e pyeti se me çfarë baze ligjore do të bëhet pilotimi, sepse sipas tij ligji aktual për tekstet shkollore nuk e parasheh një gjë të tillë.

E për këtë reagoi anëtari i Këshillit të Teksteve Shkollore, Agim Blakçori i cili tha se kjo është e paraparë me ligj të ri.

“Një ligj që ende nuk ka ardhur në Kuvend e keni fjalën, konsideroj se kjo është joligjore”, ia ktheu Kurteshi.

Kurse ministri u arsyetua se kjo po bëhet për të mirën e nxënësve.

“Kjo s’është kundërligjshme sepse duhet të lëshohen pastaj librat e vjetra. Ne po dëshirojmë sepse eksperti po na thotë janë libra të mira dhe marrim informacione dhe pse duhet të jetë antiligjore dhe jokushtetuese, ne po e lëmë një mundësi të tërheqjes së debatimit me shiku a del ajo çka thonë recensentët, kjo është gjëja më e mirë që mund ta bëjmë”, tha Bytyqi.

Ai shtoi se të gjithë recensentët janë zgjedhur sipas kritereve ligjore.

“Recensentët janë zgjedhur sipas kritereve të Komisionit mirëpo e kuptoj se kjo është për çështje politike”, shtoi ministri.

Ndërsa, instituti EdGuard javën e kaluar ka thënë se s’ka ndonjë ndryshim në tekstet shkollore dhe kanë kërkuar nga ministri mos t’i miratojë ato.

https://kallxo.com/edguard-ska-ndonje-ndryshim-ne-tekstet-shkollore-ministri-mos-ti-miratoje/

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), po ashtu javën e kaluar ka publikuar listën përfundimtare me emrat e shtëpive botuese dhe autorëve, të cilët do të përgatisin tekstet për klasat 1, 2, 6, 7, 10 dhe 11.

Sipas kësaj liste për librat e nxënësve që fillojnë vitin e ri shkollor 2019/2020 do të përgatiten kryesisht nga shtëpia botuese “Dukagjini”, “Albas” dhe “Pegi”.

Kosto e teksteve – mbi 74 mijë euro

I gjithë procesi i vlerësimit të këtyre teksteve shkollore sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit ka kushtuar mbi 74 mijë euro, ku në këtë shumë nuk janë përfshirë pagesat e recensentëve.

Ndërsa sipas zëdhënësit të MAShT-it, Valmir Gashi, secili recensent do të paguhet me shumën prej 500 eurosh.

“Çështja e pagesave të recensentëve është në proces, ku secili nga ta do të paguhet nga 500 euro, konform Udhëzimit Administrativ për Recensentët”, kishte thënë Gashi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Në këtë proces të teksteve të reja shkollore nuk janë përfshirë Abetarja dhe librat e gjuhëve të huaja, sepse sipas MAShT çdo ndryshim që merret vendim të bëhet për Abetaren duhet të bëhet në pajtim me Ministrinë e Arsimit në Shqipëri.

Ndërsa, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi më 25 prill të këtij viti kishte thënë se asnjë libër i ri shkollor s’mund të kalojë nëse nuk i plotëson standardet.

Kurrikula e re shkollore ka hyrë në fuqi në vitin 2017, ndërsa shkollat kanë vazhduar të punojnë me tekste të vjetra shkollore ndaj të cilave ka pasur kritika edhe nga shoqëria civile edhe nga vetë institucionet.

Historiku

Në vitin 2017, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut identifikoi mbi 100 raste të  gjuhës diskriminuese në tekste shkollore.

Sipas analizës së teksteve shkollore të nivelit të mesëm të lartë në Kosovë të realizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR) janë gjetur mbi 100 formulime që përmbajnë gjuhë diskriminuese e përjashtuese.

Analizës së teksteve shkollore të nivelit të mesëm të lartë në Kosovë i janë nënshtruar 22 tekste shkollore të lëndëve Biologji, Edukatë Qytetare, Histori, Psikologji dhe Sociologji të klasave të 10-ta, 11-ta dhe 12-ta.

Parametrat në bazë të të cilëve janë analizuar këto tekste shkollore janë gjinia dhe seksualiteti, kombi, etnia dhe raca, të drejtat e njeriut, trupi dhe aftësia, diversiteti dhe barazia shoqërore.

KALLXO.com pati raportuar për përmbajtje diskriminuese në tekstet shkollore në Kosovë.

Në disa tekste shkollore, si te libri Njeriu dhe Natyra të klasës së pestë te kapitulli Zhvillimi individual i njeriut, Kallxo.com pati gjetur se shkruhet që zbulimi i belit nga femrat shkakton sterilitetin, që në gjuhën mjekësore i bie pamundësia për të lindur fëmijë.