Bytyqi kërkon përkrahjen e Kanadasë për sistemin e arsimit

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi gjatë një takimi me ambasadorin e Kanadasë në Kroaci, njëherësh ambasador jorezident në Kosovë, Daniel Maksymiuk, ka kërkuar nga ai mbështetjen e Kanadasë për sistemin e arsimit.

“Falënderova ambasadorin Maksymiuk për mbështetjen që Kanadaja i ka dhënë vendit tonë në çdo aspekt, e në veçanti në fushën e arsimit dhe theksova nevojën e thellimit të bashkëpunimit reciprok të institucioneve akademike. Ne jemi të angazhuar që të ndërtojmë një sistem të mirë arsimor, të bëjmë reformat e duhura dhe të përafrojmë sistemin tonë arsimor me atë të vendeve të zhvilluara”, ka shkruar në profilin e tij në “Facebook” Bytyqi.

Ai ka thënë se e ka njoftuar ambasadorin Maksymiuk për prioritetet e MAShT-it.

“Përmenda prioritetet që MAShT-i i ka vënë para vetes për t’i realizuar dhe që të ndodhë kjo plotësisht na duhet edhe përkrahja e partnerëve ndërkombëtarë, pra edhe e Kanadasë, si një vend që ka një sistem të zhvilluar arsimor. Poashtu, përmenda edhe nevojën e përfshirjes të sa më shumë të fëmijëve në edukimin e hershëm, trajnimin e mësimdhënësve, si dhe ndërlidhjen e mësimit teorik me atë praktik”, ka theksuar Bytyqi duke shtuar se temë kryesore ka qenë edhe  përfshirja sa më e madhe e të rinjve të komuniteteve në sistemin arsimor.

“Gjithpërfshirja, përkatësisht krijimi i mundësive për arsimim të të gjithëve që jetojnë në Kosovë është ndër prioritetet kryesore të MAShT-it, ku tashmë janë bërë hapat e duhur për rregullimin e infrastrukturës ligjore. Gjatë këtij takimi biseduam edhe për dygjuhësinë në arsim, për çka e informova Ambasadorin se në Kosovë ofrohet arsimim në të gjitha gjuhët e komuniteteve që në jetojnë në Kosovë”, ka shkruar Bytyqi.

Bytyqi ka thënë se së shpejti pritet që të fillohet bashkëpunimi mes dyja vendeve.

“Me angazhimin dhe përkushtimin tonë dhe me përkrahjen e partnerëve ndërkombëtarë, besoj se do të kemi sukses në realizimin e prioriteteve që kemi renditur. Bashkë me ambasadorin Maksymiuk u dakorduam që të fillohet sa më parë bashkëpunimi me projekte konkrete në fushën e edukimit”, ka theksuar Bytyqi.