Bytyqi: Kemi ndarë 1 milion euro për shkollat profesionale

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë gjatë raportimit në Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, ka njoftuar se viti i ri shkollor 2018-2019 ka filluar me rregull në të gjitha shkollat, përveç 9 prej tyre që ishin në renovim.

“Viti i ri shkollor ka filluar me rregull në të gjithë Kosovën, përveç në disa komuna, pasi 9 shkolla ishin në renovim, por edhe për këto shkolla është bërë një plan për kompensimin e orëve të këtyre shkollave”, tha ai.

Bytyqi po ashtu ka njoftuar se këtë vit janë rreth 315 mijë nxënës që ndjekin mësimin parauniversitar.

Ai ka treguar edhe për numrin e shkollave të reja.

“Ky vit ka filluar me 5 shkolla të reja, 7 shkolla janë renovuar. Ndërsa këtë vit pritet të ndërtohen 22 shkolla të reja dhe 2 kopshte publike”, tha Bytyqi.

Ai po ashtu ka njoftuar anëtarët e Komisionit për Arsim se arsimi profesional është prioritet i MAShT-it.

“Këtë vit prioritet kemi shkollat profesionale, ku bashkë më Ministrinë e Financave kemi ndarë buxhet prej 1 milion eurosh për t’u ndihmuar këtyre shkollave në anën e materialeve dhe që të bëjnë praktikë në kompani të ndryshme”, tha Bytyqi.

Ministri po ashtu ka njoftuar se këtë vit do të angazhohen rreth 100 asistentë për fëmijët me nevoja të veçanta.

Anëtarja e komisionit për Arsim nga radhët e AAK-së, Teuta Haxhiu, në lidhje me asistentët për fëmijët me nevoja të veçanta ka sugjeruar ministrin Bytyqi që të zgjedhen nga Fakulteti i Edukimit.

“Mendoj se asistentët për këta fëmijë të zgjedhen nga Fakulteti i Edukimit, por që të zgjedhen studentët e dalluar, po ashtu edhe të stimulohen për punë, pra t’ju njihet kjo praktikë si punë”, tha Haxhiu.

Kurse anëtari i komisionit nga radhët e LDK-së, Fidan Rekaliu ka ngritur si çështje regjistrimet e studentëve në kolegjet private edhe pas afatit.

Lidhur me këtë ministri i arsimit, Shyqiri Bytyqi ka thënë se asnjë student nuk do të pranohet që i përket vitit të ri shkollor nëse regjistrohet pas afatit.

“Nuk mund të marrim masa për tw kaluarën, ne e kemi caktuar kohën kur mund të regjistrohen studentët. Në të kaluarën s`ka pasur afat, kjo tani është e përcaktuar me udhëzim administrativ. Por çdo institucion mund të bëjë reklama, s’mund të ja ndalim por  që asnjë  student i pranuar pas afatit nuk do të pranohet nga MAShT se është i këtij viti të ri akademik”, tha Bytyqi.

Anëtarja e këtij Komisioni, Arbërie Nagavci ka thënë se programet e shkollave profesionale duhet të akreditohen në mënyrë që diplomat t’u njihen jashtë vendit.

Ministri Bytyqi është pyetur nga deputetja Nagavci edhe nëse janë dërguar tekste të gjuhës shqipe në Luginën e Preshevës.

Ai tha se nuk kanë mundur t’i dërgojnë por janë në bisedime me Tiranën për këtë çështje.

“Nuk kemi bërë asnjë hap, s`kemi pasur asnjë mundësi, nuk kam dashur të bëjë spektatël. Jemi munduar të gjejmë alternativa por s`kemi mundur, kemi kërkuar nga Tirana që të dërgohen nga Ministria e Arsimit atje, jemi në pritje të përgjigjes prej tyre por nuk do të bëjë asnjë veprim për spektatël”, tha Bytyqi.