Buxheti i Ujësjellësit për Lugun e Baranit Kthehet në Asfalt
Vendimi i Asamblesë Komunale të Pejës që mjetet e parapara për projektin e ujësjellësit të shkojnë për asfaltim rrugësh i ka mllefosur banorët e fshatrave të Lugut të Baranit.
Pas këtij vendimi dhe për shkak të mungesës së ujit disa banorë janë detyruar të hapin bunarë.
Isuf Dervishaj nga fshati Kotradiq tha për KALLXO.com se ndonëse kanë hapur bunar nuk po mund ta shfrytëzojnë për pije ujin, i cili ndotet nga ujërat e zeza.
“Boll harxhimet janë ba edhe sen s’ka, ujë nuk kemi këtu. Para do dite u kanë njo që çelë bunare, afër 20 bunarë i ka çelë. Gati ka 1 mijë euro kanë kushtu. Edhe prapë se prapë ujë nuk ka. E mas shumti e dëmtojnë ujërat e zeza”, thotë Dervishaj.
Banori tjetër i këtij fshati, Januz Margataj, thotë se ujin e bunarëve nuk mund ta shfrytëzojnë as për pije as për ujitjen e tokave.
“Ujë të pastër nuk kemi. Uji nuk është për mu pi, as nga njerëzit, as nga shtazët, as për ujitje”, tha ai.
Margataj thotë se ndonëse ujësjellësi ishte premtuar 5 vite më parë zor që do të realizohet edhe një kohë të gjatë.
E bashkëfshatari tjetër, Mehmet Gjocaj, tha se përkundër mungesës së ujit me shumë vështirësi po ia dalin të ujitin tokat bujqësore të fshatit.
“Me i ujit i ujitim me faqe të zezë. Deri qetu i ujitim me jaz diqysh, e aty e anej veç me motorra, me bunare”, shpjegon Gjocaj për KALLXO.com.
Banorët janë të frustruar edhe për faktin se askush nga autoritetet e Pejës nuk i ka pyetur dhe kontaktuar për t’ua treguar arsyen e mosrealizimit të projektit të ujësjellësit për rreth 30 fshatrat e rajonit.
Kryetari i Bashkësisë territoriale të 4 fshatarave në ketë rajon, Anton Antoni, tha se banorët nuk kanë marrë kurrëfarë arsyetimi.
“Qytetarët janë tepër të zhgënjyer, tepër të zhgënjyer dhe nuk ka asnjë arsyetim dhe nuk bëhet një tubim, një takim, që të njoftohen qytetarët dhe tregohet arsyeja pse. Kjo po jetë vetëm në mëshirën e fatit”, tha Antoni për KALLXO.com.
Për të siguruar ujin e pijes, sipas Antonit, banorët e këtij rajoni ose duhet ta blejnë atë ose të udhëtojnë me kilometra për të mbushur bidonët.