FOTO KUVENDI I KOSOVES

Buxheti përplas ministrin Hamza me deputetin Selmanaj

Kuvendi i Kosovës në vazhdimin e seancës për projektbuxhetin e vitit 2019 përsëri ka vazhduar diskutimet.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës e ka quajtur paradoks ndarjen e buxhetit për një organizatë joqeveritare në krahasim me Komunat e Kosovës.

“Ka paradoks në ndarjen e buxhetit te projektet kapitale për të gjitha komunat e Kosovës në total e kap shifrën 930 mijë euro kurse vetëm për një projekt të vetëm “Ta pastrojmë Kosovën” qeveria ndan 1 milion e 200 mijë euro . Kjo është një organizatë joqeveritare dhe për të ndarë buxhet ka rregullore, dhe kam informacione jozyrtare se kjo organizatë ka marrë 800 mijë euro e që i bije 2 milionë euro, vetëm kjo organizatë ka marrë, kaq e paradoksin me komunat po e shihni”, tha Selmanaj.

Ministri i Financave, Bedri Hamza ka replikuar kundrejt Selmanajt duke thënë se kjo Qeveri ka vendosur prioritet ambientin.

Sipas tij edhe komunat duhet ta bëjnë të njëjtën dhe të ndajnë më shumë buxhet.

“Ambienti duhet të vendoset si prioritet kryesor, mirëpo komunat nuk i ndalon kurrkush me nda ma shumë buxhet për ambientin, se nëse presin vetëm prej nivelit qendror nuk është mirë, Komunat duhet të vendosin prioritet ambientin”, ka thënë Hamza.

Po ashtu Driton Selmanaj përsëri ka shtuar se kjo ndarje e buxhetit është paradoksale duke thënë se ky buxhet është elektoral dhe mund të kthehet në votë.

“Neve edhe Suedia ka me na pas lakmi se çfarë qasje jemi tu pas në politika sociale, ky buxhet është elektoral sepse mundësia për mu kthye në votë ky buxhet po ndodhë, ju po krijoni mundësi për një manipulim eventual sepse paradoksi në mes të komunave me 900 mijë euro e vetëm një organizatë joqeveritare mbi 1 milionë euro”, shtoi Selmanaj.

Ndërkaq, deputeti i pavarur Korab Sejdiu e kritikoi projektbuxhetin e vitit 2019.

“Ky buxhet më shumë është shpenzues sesa që ofron pasur për qytetarët e këtij vendi. Po më vjen keq që edhe në këtë projektbuxhet po tregon se Qeveria po e sheh paranë publike si diçka personale”, tha ai.

Sejdiu shtoi se buxheti po shpërndahet nëpër komunat ku kryetarët i përkasin partisë së kryeministrit Ramush Haradinaj.