Buxheti i 2017 Parasheh Qendër Emergjente dhe Stadium Nacional

Qeveria miratoi projektligjin për buxhetin e vitit 2017, i cili pritet të jetë afër 2 miliard euro dhe e ka dërguar atë në Kuvend pvr shqyrtim dhe votim.

Në prezantimin e projektbuxhetit prej 2 miliard euro për vitin 2017 që e bëri ministri i financave, Avdullah Hoti, u tha se rritja ekonomike pritet të jetë 4.4% dhe se ky buxhet ka aprovimin e plotë të FMN-së.

Në mbledhjen në të cilën Ramiz Kelmendi për herë të parë u ul në karrigen e Zëvendës Kryeministrit, ministri Hoti tha se buxheti për vitin e ardhshëm ka dy objektiva kryesore që kanë të bëjnë me kontrollin e shpenzimeve dhe krijimin e hapësirës për më shumë shpenzime kapitale.

Ndër projektet e parapara, Ministri Hoti se me këtë buxhet, vitin tjetër është paraparë të ndërtohet Qendra Emergjente dhe stadiumi nacional.

Ai tha se javën e ardhshme FMN do të vijë në Prishtinë dhe se pret dakordim përfundimtar me ta për këtë projektbuxhet.

Veç kësaj, Hoti i prezantoi para kabinetit edhe tri ndryshime në projektligj para aprovimit, në mesin e tyre ndarjen fillestare në vlerë prej 500 mijë eurosh për blerjen e Ambasadës së Kosovës në Uashington.

Ministrja pa portofol Edita Tahiri u ankua që buxheti për delegacionin e saj për bisedimet në Bruksel nuk është i mjaftueshëm dhe se ka pasur problem me ndarjen e buxhetit shtesë.

“Prej vitit 2011 ka qenë praktikë më u nda shtesa, të cilat janë marrë nga rezervat buxhetore. Këtë vit kemi pas vështirësi deri sa është bërë një shtesë, që ashtu kshtu s’ka qenë e mjaftueshme,” tha Tahiri.

Kryeministri Isa Mustafa tha se ky është buxhet i qeverisë së koalicionit, që shpreh përcaktimin e tyre për zhvillim ekonomik e krijim të vendeve të reja të punës.

“Ky është  buxhet zhvillimor, buxhet rreth 2 miliard euro. Pjesa më e madhe e të hyrave gjenerohet nga te hyrat fiskale dhe jo fiskale,” tha Mustafa.

Në mbledhjen e sotme, qeveria miratoi edhe raportin nëntëmujor (janar-shtator) të buxhetit të vitit 2016.