Bursë për Gruan e Shefit të Kabinetit të Muharrem Sfarqës

Drejtoria e Arsimit i ka ndarë bursë për herë të dytë Erzana Karaliti- Dergutit, gruas së shefit të kabinetit të kryetarit të Ferizajt, Balton Derguti.

Derguti thotë për KALLXO.com se bashkëshortja e tij i ka plotësuar kushtet për të qenë përfituese e bursës.

Por Shyhrete Bytyqi nga Ferizaj, studente e farmacisë në Universitetin e Prishtinës që iu refuzua kërkesa për bursë, ankohet për padrejtësi.

Ajo thotë se edhe pse i plotëson të gjitha kriteret e përcaktuara nga komuna për përfitim të bursës, u refuzua ngase nuk ka asnjë të afërm që i punon në pushtetin lokal të Ferizajt.

Shyhrete Bytyqi thotë se ka ushtruar ankesë ndaj refuzimit të bursës dhe pret që ankesa e saj të shqyrtohet.

Muhamet Halili, Drejtor i Arsimit në Komunën e Ferizajt, thotë se komisioni ka shqyrtuar çdo kërkesë, të cilën e kanë pranuar, por nuk ka mundësi që të gjithë të përfitojnë nga komuna. Ai sipas tij komisioni i cili është marrë me vlerësimin e aplikacioneve ka kryer punën në bazë të rregullores komunale për ndarjen e bursave.

Komuna e Ferizajt ndan çdo vit 100 bursa për studentë të fakulteteve publike. Këtë vit janë ndarë 49 bursa për studentë fillestarë dhe 24 bursa për studentë të cilët kanë qenë përfitues edhe vitin e kaluar.

KALLXO.com ka provuar ta kontaktojë edhe përfituesen e bursës, Erzana Karaliti- Derguti, por ajo nuk ka pranuar të flasë për këtë çështje.