Burri i deputetes së PDK-së punësohet në Ministri të Drejtësisë

Ilir Guta, burri i deputetes së Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Luljeta Veselaj- Guta është zgjedhur kandidati më i suksesshëm nga një konkursi i shpallur nga Ministria e Drejtësisë.

Ky konkurs ishte shpallur nga Ministria e Drejtësisë për pozitën Drejtor i Departamentit për Drejtësi Tranzicionale dhe Mbështetje të Viktimave të Krimit.

Ky konkurs ishte lejuar të monitorohej edhe nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese- BIRN.

Pak minuta para se të fillonte intervistimi i kandidatëve të përzgjedhur për listën e ngushtë, njëri nga kandidatët i kishte shprehur pakënaqësitë e tij tek komisioni vlerësues.vAi ka thënë se konkursi është vetëm formalitet, pasi dihet kush do të zgjidhet.

“ta përfundojmë ma shpejtë pasi që është vetëm formalitet”, i ka thënë ai komisionit. Por, ai nuk ka pranuar të flas për BIRN për shkeljet që pretendon se kanë qenë në këtë konkurs. Intervistat e të dy kandidatëve kanë zgjatur rreth 12 minuta.

Pas përfundimit të përzgjedhjes së kandidatit më të suksesshëm nga ky konkurs, BIRN përmes kërkesës për qasje në dokumente zyrtare ka kërkuar nga Ministria e Drejtësisë dosjen e kandidatit Ilir Guta, i cili është përzgjedhur në pozitën e Drejtorit të Departamentit për Drejtësi Tranzicionale dhe Mbështetje të Viktimave të Krimit.

Ministria e Drejtësisë, nuk e ka aprovuar kërkesën e BIRN, me arsyetimin se Ministria ka ofruar mjaftueshëm informata rreth konkursit,

“Pas aprovimit për monitorim e procesit të rekrutimit, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese – BIRN ka qenë i njoftuar përmes Zyrës për Komunikim me Publikun për datat, kohën dhe vendin e mbajtjes se testit me shkrim dhe Intervistës me gojë për kandidatët e suksesshëm për pozitën Drejtor i Departamentit për Drejtësi Tranzicionale dhe Mbështetje të Viktimave të Krimi. Gjithashtu njoftimi për përzgjedhjen e kandidatit të suksesshëm është dërguar të Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese – BIRN sipas kërkesës së monitorueses”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë, të cilët kanë shtuar se deri më tani Ministria e Drejtësisë ka ofruar mjaftueshëm të dhëna për procesin e rekrutimit për pozitën Drejtor i Departamentit për Drejtësi Tranzicionale dhe Mbështetje të Viktimave të Krimi.

KALLXO.com ka kërkuar një sqarim edhe nga bashkëshortja e kandidatit të përzgjedhur, e cila po ashtu është deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Luljeta Veselaj- Guta, e cila ka thënë se nuk ka pasur asnjë ndikim në punësimin e bashkëshortit të saj në këtë pozitë.

“Absolut, nuk jam marrë. Ka qenë konkurs publik kanë qenë procedura të rregullta, asnjë ndikim nuk ka pasur”, është shprehur deputetja.