Gjykimi Granit Lekës për mashtrimin me bileta - FOTO KALLXO

Burg për pronarin e agjencionit turistik, përfitoi mbi 123 mijë euro me bileta false

Gjykata Themelore në Gjilan ka shpallu Aktgjykim dënues për të akuzuarin Granit Leka në kohëzgjatje prej 2 vite e 8 muaj burgim, si dhe dënim me gjobë në shumën prej 3.000 Euro.

I akuzuari Granit Leka dyshohet se nga data 1 gusht 2018, si pronar i Agjencionit Turistik NTSH “Voll Travel”, ka mashtruar klientë të ndryshëm, kinse për të dërguar në Turqi, duke ju dhënë bileta fiktive, ku të dëmtuarit me të njëjtat nuk kanë mundur të udhëtojnë.

Shuma që kanë paguar të dëmtuarit tek agjencioni në fjalë kapin vlerën e 123.859,00 (njëqind e njëzet e tremijë e tetëqind e pesëdhjetë e nëntë) Euro.

Me këto veprime i akuzuari ka kryer veprën penale mashtrimi nga neni 335 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjykata pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe pranimit të fajësisë nga i akuzuari, ka shqiptuar dënimin me burgim dhe dënimin me gjobë.

“Të akuzuarit i është shqiptuar edhe dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të veprimtarisë dhe aktiviteteve në agjencionet e udhëtimit në kohëzgjatje prej 1 vit e 6 muaj, afati do të filloj pas rrjedhës së mbajtjes së dënimit me burgim. Detyrohet i akuzuarit Granit Leka që në emër të kërkesës pasurore juridike, kompensimin e dëmit të dëmtuarve, pas plotfuqishmërisë së Aktgjykimit”, ka njoftuar Gjykata e Gjilanit.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me këtë rast:

https://kallxo.com/gjilan-pronari-i-agjencionit-turistik-pranon-mashtrimin-e-klienteve-me-bileta/

Gjyqtari pas shpalljes së Aktgjykimit, ka nxjerrë aktvendim për vazhdimin e masës së paraburgimit për të akuzuarin deri në plotfuqishmërinë e Aktgjykimit. Kundër këtij vendimi palët kanë afat ankese brenda 15 dite nga momenti i pranimit, në Gjykatë të Apelit.