Foto: Kallxo.com

Burg për dy vajza dhe një djalë për grabitje me armë në Prishtinë

Dy vajza dhe një djalë morën sot dënimet nga Gjykata Themelore në Prishtinë për një rast të grabitjes që kishte ndodhur në mars të vitit të kaluar në lagjen ‘Kalabria’ të Prishtinës.

Edison Bislimi u dënua me 4 vjet e 10 muaj burg pasi u gjet fajtor në tri veprat penale për të cilat akuzohej. Ai u gjobit edhe me 1,500 euro.

Ai akuzohej për vjedhje të rëndë, grabitje dhe mbajtje të armës pa leje.

Ndërsa të akuzuarat Lumturije Ramqaj dhe Lirika Sahiti, u dënuan me nga 3 vjet e gjysmë burg dhe 500 euro gjobë për veprën penale të grabitjes ndërsa u liruan nga akuzat për veprën tjetër të vjedhjes së rëndë.

Në emër të paushallit gjyqësor, secili nga tre të dënuarit u obligua që t’i paguajë gjykatës edhe një shumë tjetër nga 50 euro.

Prokuroria i akuzonte Bislimin, Ramqajn dhe Sahitin për një grabitje që kishte ndodhur më 12 mars të vitit të kaluar, rreth orës 03:40 në lagjen “Kalabria” në Prishtinë, pas një planifikimi paraprak.

Sipas prokurorisë, Edison Bislimi e kishte thyer me një mjet të fortë e kishte thyer xhamin e lokalit dhe ishte larguar pasi që ishte aktivizuar alarmi pa arritur të marrë ndonjë gjë nga aty, ndërsa dy të akuzuarat Lumturije Ramqaj dhe Lirika Sahiti kishin bërë roje jashtë lokalit.

Por dy ditë më vonë, më 14 mars, sipas aktakuzës, në rrugën “Ali Vitia” këta tre, bashkë me një person tjetër të panjohur, pas një planifikimi paraprak, i kishin ndarë rolet për grabitje në lokalin “Europhone”.

Aktakuza thotë se në momentin e grabitjes, e dëmtuara Besjana Sufaj ishte duke punuar në lokal ndërsa Lumturije Ramqaj dhe Edison Bislimi e kishin kërcënuar me armë dhe e kishin sulmuar fizikisht duke e kapur për flokë dhe duke e goditur me tytë të revoles në kokë.

Megjithatë, Sutaj kishte arritur ta aktivizonte alarmin dhe të akuzuarit nuk kishin arritur të marrin asgjë nga aty, përveç një çamçakëzi.

Ata ishin larguar nga lokali ndërsa Lirika Sahiti bashkë me personin e panjohur kishin bërë roje jashtë.