Burg Grabitësve të Familjeve Serbe në Klinë

Gjykata Themelore e Pejës i ka shpallur sot fajtorë dhe i ka dënuar me burgim dhe gjobë Nebih Danin, Labinot Sylën, dhe Gramoz Racajn, të cilët akuzoheshin për grabitje në shtëpitë e pjesëtarëve të komunitetit serb në Klinë.

Dani, Syla dhe Racaj secili janë dënuar me nga tri vite e gjysmë burgim, me gjobë prej 500 eurosh dhe me shpenzimet të procedurës penale në shumën prej 260 eurosh, si dhe paushallin gjyqësor prej 15 eurosh.

Gjykatësi Sylë Lokaj ka thënë se gjykata i ka gjetur fajtorë tre të akuzuarit dhe e dënon secilin me dënim të njëjtë dhe unik prej 3 vjet dhe gjashtë muaj burgim secilit. Sipas gjykatësit, të pandehurve në dënim do t’u llogaritet edhe koha e mbajtjes në paraburgim.

Sipas aktgjykimit, të akuzuarit kanë kryer veprën penale të grabitjes, pasi që ata duke bashkëvepruar në grup kanë hyrë me forcë dhe të maskuar më 11.5.2015 dhe më 18.5.2015 në shtëpitë e disa familjeve serbe në Klinë, duke grabitur shuma të ndryshme parash, në dinarë të Serbisë dhe euro, dhe një unazë ari. 

“Në kuptim të dispozitave të kodit penal dhe të procedurës penale të akuzuarit i gjykon: Nebih Danin e dënon me dënim unik prej 3 vite e gjashtë muaj burgim. Në dënimin me burg llogaritet mbajtja në paraburgim nga data 20 gusht 2015. I njëjti dënohet edhe me gjobë prej 500 euro. Dënimi me gjobë duhet të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh, e nëse i akuzuari refuzon ekzekutimin e dënimit me gjobë i njëjti zëvendësohet me burg duke llogaritur çdo ditë burgu me nga 20 euro. I akuzuari dënohet edhe me shpenzimet e procedurës penale në shumën prej 260 eurosh, si dhe paushallin prej 15 euro”, ka thënë gjykatësi Lokaj.Gjykatësi ka thënë se të dëmtuarit e këtij rasti, Bogosa dhe Sllobodanka Dabzhileviq, si dhe Miodrag dhe Nada Koniq, nga Klina, për realizimin e kërkesave për dëmshpërblim udhëzohen në kontest civil.“Ndërsa, i akuzuari Labinot Syla dënohet me dënim unik në kohëzgjatje tre vite e gjashtë muaj burgim.

Në dënimin me burg llogaritet mbajtja në paraburgim nga data 20 gusht 2015. I njëjti dënohet edhe me gjobë prej 500 euro. Dënimi me gjobë duhet të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh, e nëse i akuzuari refuzon ekzekutimin e dënimit me gjobë i njëjti zëvendësohet me burg duke llogaritur çdo ditë burgu me nga 20 euro. I akuzuari dënohet edhe me shpenzimet e procedurës penale në shumën prej 260 eurosh, si dhe paushallin prej 15 euro”, ka lexuar aktgjykimin gjykatësi.

Sipas të njëjtit aktgjykim edhe i akuzuari Gramoz Racaj është dënuar me dënim unik në kohëzgjatje tre vite e gjashtë muaj burgim. Në dënimin me burg llogaritet mbajtja në paraburgim nga data 20 gusht 2015. I njëjti dënohet edhe me gjobë prej 500 euro, gjobë e cila nëse nuk paguhet në afat prej 15 ditësh, dënimi zëvendësohet me burg duke llogaritur çdo ditë burgu me nga 20 euro. I akuzuari dënohet edhe me shpenzimet e procedurës penale në shumën prej 260 eurosh, si dhe paushallin prej 15 euro.

Tre të akuzuarve, sipas gjykatësit Lokaj, u vazhdohet paraburgimi deri sa aktgjykimi të marrë formën e prerë.

Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij aktgjykimi, ka përfunduar gjykatësi.

E kontaktuar nga KALLXO.com, Aurora Mulhaxha, mbrojtësja e të akuzuarit Nebih Dani tha është e kënaqur që gjykata i ka marrë parasysh rrethanat lehtësuese në rastin e vendosjes për lartësinë e dënimit. Mirëpo, Mulhaxha nuk u pajtua me vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj klientit të saj.

“Jam e kënaqur me lartësinë e dënimit, por nuk pajtohem me vazhdimin e masës së paraburgimit, pasi që kanë kaluar shkaqet për një gjë të tillë”, tha avokatja.

Të akuzuarit për veprat që janë dënuar që nga fillimi e kishin pranuar fajësinë, ndërsa për dy veprat e tjera të grabitjes, prokurori kishte hequr dorë në fjalën përfundimtare.