Shpejtim Bulliqi raporton para Komisionit për Integriime Europiane - Foto: KALLXO.com

Bulliqi: Raporti i Komisionit Ende Nuk Është Gati për Publikun

Kryetari i Komisionit të ri për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi, Shpejtim Bulliqi, është duke raportuar para Komisionit për Integrime Europiane rreth të gjeturave të deritanishme të Komisionit.

Sipas Bulliqit, zakonisht përcaktimi i kufirit shtetëror bëhet me një marrëveshje ndërkombëtare, e më pas mbi të formohen komisionet e shteteve.

“Për fat të keq nga ajo qe në kemi gjetur, Komisioni që është formu ka një bazë krejt tjetër juridike, që është një ligj i brendshëm për kontrollin e kufirit, por jo një marrëveshje ndërkombëtare. Ky ligj thotë që Qeveria emëron komisionin të vendosur mbi një marrëveshje ndërkombëtare. Ky nen nuk vlen për mandatimin e një komisioni të ri”, tha Bulliqi.

Si shembull, Shpejtim Bulliqi përmendi rastin e përcaktimit të kufirit me Maqedoninë.

“Nga procesverbalet e këtij ish komisioni shihet që nuk është kërku të respektohen sidomos hartat topografike të ish –Jugosllavisë, edhe pse i kanë pasë në dispozicion. Puna e tyre ka qenë me identifiku ish vijën administrative. Pse po e them administrative është se ka dallim mes kufirit administrativ dhe atij kadastral”, shtoi Bulliqi.

Më tej ai citoi procesverbalin e komisioneve, kosovar dhe malazez: “Komisioni kosovar shkon në këtë takim me dy vija kufitare, e para me 6889 hektarë dhe varianti dy 543 hektarë“. Që i bjen se ata e kanë ditë që Kosova ka me hupë hektarë edhe në variantin 1 dhe 2. E si pasojë e kanë përdore një hartë topografike 25 mijëshe, e vetmja hartë që nuk ka pasë vijë kufitare. E nëse analizoni procesverbalet e shohim se vijën e ka caktu pala malazeze, theksoi kryetari i Komisionit të ri për Shënjimin e Kufirit, i emëruar më 22.09.2017.

“Komisioni është duke bërë punën me përpikëri me shumë presion: e para presioni i kohës, dhe e dyta presioni publik. Nuk guxojmë të ngutemi sepse është çështje e ndjeshme. Nuk jemi larg, jemi afër, keni durimin. Shpejt do ta keni raportin me pikë e presje në dorë”, theksoi Bulliqi.

Më tej, Bulliqi tha se për ta arsyetuar punën e tij ish-Komisioni është thirrur në kadastra të Kosovës, të cilat sipas tij kaë qenë në diskrepancë me kadastrat e Malit të Zi. Janë thirrë në planin e Ahtisaarit, janë thirrë në Kushtetutën ë ’74-tës, tha ai.

“Nga krejt standardet ndërkombëtare për caktimin e kufijve, Komisioni Meha e ka marrë veç një nënstandard – ai i kadastrës”, shtoi ai.

Bulliqi tha se Kushtetuta e vitit 1974 dhe plani i Ahtisaarit kanë kuptim nëse kjo konkretizohet me dokumente tjera.

“Ky komision do ta hartojë deri në fund këtë raport në një afat optimal”, theksoi Bulliqi, i cili tregoi se javën e kaluar kanë qenë në vizitë në Slloveni e Kroaci dhe tha se është mëkat pse nuk është bërë të paktën një vizitë nga Komisioni paraprak në këto shtete.

“U mundova në pika të shkurta, e di që kureshtja është e madhe por raporti ende nuk është gati për publikun”, tha Shpejtim Bulliqi.