Bulliqi: Kufiri Kosovë- Mali i Zi Nuk Është i Njëjtë

Kryetari i Komisionit Qeveritar për vlerësimin e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, Shpejtim Bulliqi, tha sot se marrëveshja për demarkacionin e kufirit, e nënshkruar në vitin 2015, ka të meta thelbësore.

Në raportimin e tij para qeverisë, Bulliqi tha se vija kufitare Kosovë- Mali i Zi ka pësuar ndryshime në krahasim me hartat e fundit.

“Komisioni ynë ka konstatuar në mënyrë unanime se vija kufitare nuk është në përputhje me vijën administrative të ish Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës”, tha Bulliqi.

“Jemi munduar që përkundër presioneve politike dhe mediatike, të brendshme dhe të jashtme, në afat kohor, ta përmbushim suksesshëm këtë raport”, shtoi ai.

Bulliqi ka kritikuar punën e komisionit të drejtuar nga Murat Meha.

“Puna e ish komisionit është reflektuar me të meta thelbësore që kanë determinuar këto lëshime. Ish komisioni i është futur delimitimit të kufirit pa një marrëveshje paraprake”, tha ai.