Akhmad Chatayev- Foto: Onkavkaz.com

Bullgaria Liroi ‘Trurin' e Sulmit Terrorist në Stamboll

Policia bullgare kishte arrestuar më 2011 në kufi me Turqinë personin që dyshohet të jetë “truri” i sulmit në aeroportin e Stambollit, pasi që Rusia e kërkonte atë për “pjesëmarrje në grupe të armatosura dhe për rekrutim të personave për terrorizëm dhe për financim të terrorizmit”, ka thënë një gjykatës bullgar për radion kombëtare të Bullgarisë të premten.

Sidoqoftë, gjykata bullgare kishte refuzuar ta ekstradonte me arsyetimin se statusi i tij prej refugjati të cilin Austria ia kishte dhënë më 2003 ishte i vlefshëm në të gjitha shtetet që janë nënshkruese të kKonventës së Gjenevës, duke përfshirë edhe Bullgarinë.

Akhmad Chatayev, i cili vjen nga Çeçenia, në Kaukazin Verior të Rusisë, akuzohet të jetë truri i masakrës në aeroportin “Ataturk” të Stambollit, ku të martën u vranë 43 njerëz e mbi 240 u plagosën.

http://kallxo.com/terrorizmi-godet-serish-stambollin/

Pas raporteve në mediat turke të cilët pretendonin që njeriu që e planifikoi sulmin kishte nofkën “Akhmad i Armatosuri”, Michael McCaul, kryetar i Komitetit për Siguri të Brendshme në Dhomën e Përfaqësuesve, e konfirmoi informacion për CNN.

Chatayev ishte në listën e SHBA-së, Interpolit, OKB-së dhe Rusisë me emrat e terroristëve të dyshuar. Ai konsiderohet si rekrutuesi kryesor i ISIS-it për Evropë dhe Kaukazin Verior.

Ai po kërkohet në Rusi që nga viti 2008 si i dyshuar për rekrutim të ekstremistëve dhe mbledhje të fondeve për një organizatë terroriste.

Një gjykatë në qytetin jugor të Bullgarisë, Haskovo, në fillim e lejoi ekstradimin e tij drejt Rusisë por vendimi më vonë ishte anuluar nga gjykata e apelit e Plovdivit. Ai ishte liruar dhe dërguar në Austri.

Disa grupe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përfshirë edhe “Amnesty International” dhe Fondin “Anna Politkovskaya”, kanë kërkuar nga autoritetet bullgare që ta lironin atë.

Tre vende të tjera – Ukraina, Suedia dhe Gjeorgjia – gjithashtu e patën arrestuar Chatayev dhe më pas refuzuan ta ekstradojnë në Rusi, ka thënë për BTV ish-avokati i tij bullgar Veselin Georgiev.

Chatayev u arrestua në Gjeorgji pas një përleshjeje mes militantëve të pretenduar dhe forcave të sigurisë në të cilat u vranë 14 persona. Një gjykatë e shpalli atë të pafajshëm në janar 2013.

Autoritetet turke ende nuk e kanë bërë të ditur emrat e të gjithë të dyshuarve pas masakrës së aeroportit të së martës, por kanë thënë se tre kamikazët ishin qytetarë të Rusisë, Uzbekistanit dhe Kirgizisë.

Mediat turke kanë raportuar se të tre burrat kanë mbërritur në Stamboll për të kryer sulmin terrorist të planifikuar mirë direkt nga Siria.