Marreveshja per roaming-Lluka

Brnabiç: Ishte vendim i vështirë marrëveshja për roaming

Kryeministrja serbe, Ana Brnabiç ka komentuar nënshkrimin e marrëveshjes për largimin e roaming-ut për shtetet e Ballkanit Perëndimor, ku pjesë e saj janë Kosova dhe Serbia.

Ajo në një konferencë për media tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshje është bërë për të dërguar sinjale se Serbia po bën gjithçka për raporte të mira në rajon.

“Nënshkrimi i marrëveshjes nuk ishte i lehtë për Serbinë, ishte shumë e vështirë, por shpresojë që Prishtina të mos e fut ndonjë taksë 100% në këtë marrëveshje. Megjithatë shpresoj që marrveshja rajonale për roamin do të jetë një hap tjetër drejt një rajoni më të integruar dhe shpresoj që Prishtina do ta respektojë këtë”, tha ajo, raporton tanjug.

Në samitin digjital të Ballkanit Perëndimor i cili po mbahet në Beograd, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, në emër të Kosovës ka nënshkruar marrëveshjen për zbritjen e çmimeve të roaming për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Palët nënshkruese të marrëveshjes, e cila do të quhet “Roaming si në shtëpi” do të fillojnë gradualisht që nga 1 korriku 2019 të ulin kostot e roaming-ut, ndërsa nga 1 korriku 2021 nuk do të ketë çmime bazë të roaming-ut.

Kjo marrëveshje është nënshkruar nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina dhe Serbia.