Britanikët të pakënaqur me zgjedhjen e bashkëluftëtarit të Limajt në agjencinë e pronës, Ambasadori jep dorëheqje nga Bordi

Ambasada Britanike në Kosovë ka reaguar në lidhje me emërimin e ish-ushtarit të Limajt, Naser Shalës, në krye të Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës (AKKVP).

“Ambasada Britanike në Prishtinë shpreh keqardhje për vendimin e Kuvendit të Kosovës për emërimin e Naser Shala si Shef i Sekretariatit të Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës. Projekti i Mbështetjes së Ambasadës Britanike për Projektin e Rekrutimit Publik dy herë mbështeti procesin për rekrutimin e Shefit të Sekretariatit të Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës. Procesi i parë u anulua nga Kuvendi. Procesi i dytë i rekrutimit u krye në mënyrë transparente dhe meritokratike, u identifikua vetëm një kandidat që plotësonte kriteret për emërim. Raportet e rekrutimit, të prodhuara nga partneri zbatues i projektit, u ndanë me të gjithë kryetarët e grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovë”, thuhet në reagimin e ambasadës.

Sipas këtij reagimi, kandidati që e kanë rekomanduar ambasada nuk i mori votat në Kuvend, duke thënë se është shkelje e Memorandumit të Bashkëpunimit mes Ambasadës dhe Kuvendit.

“Fatkeqësisht, javën e kaluar Kuvendi dështoi të zgjidhte kandidatin e vetëm të identifikuar si përmbushjen e kritereve për emërim dhe në vend të kësaj emëroi një kandidat i cili nuk u konsiderua i emërueshëm sipas vlerësimit profesional. Kjo është një shkelje e qartë e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Ambasadës Britanike dhe Kuvendit të Kosovës. Është prerogativë e institucioneve të Kosovës që të emërojnë kandidatë të përshtatshëm nga listat e kandidatëve që plotësojnë kritere. Megjithatë, në zgjedhjen e një kandidati që nuk konsiderohej si i emërueshëm në këtë rast, institucionet kanë treguar jo vetëm një mungesë angazhimi në zbatimin e projektit tonë të përbashkët, por gjithashtu, më e rëndësishmja, mungesë të përkushtimit ndaj mandatit dhe punës së AKKVP”, thuhet në reagim.

Po ashtu ambasada britanike thotë se emërimi i Shalës vë në pikëpytje nëse shumica e Kuvendit të Kosovës ka vullnetin politik për të zbatuar emërimet meritokratike.

“Si rezultat i këtij vendimi të pafat, Ambasadori britanik ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij si Kryetar i Bordit të AKKVP. Letra e tij e dorëheqjes i është dërguar Përfaqësuesit Special të BE-së. Ai falënderon udhëheqjen aktuale dhe stafin e AKKVP për profesionalizmin dhe përkushtimin e palëkundur gjatë mandatit të tij në bordin, dhe i dëshiron ato dhe organizatës çdo sukses në të ardhmen”, thuhet në reagim.

Javën e kaluar Kuvendi i Kosovës me 50 vota pro, ka zgjedhur Naser Shalën drejtor ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronë.

Naser Shala ka qenë i akuzuar më 25 korrik 2011 së bashku me Fatmir Limajn nga Prokuroria Speciale për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës në rastin “Kleçka”.

Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte shpallur të pafajshëm Limajn dhe nëntë bashkëluftëtarët e tij. 

Ndërkaq, Gjykjata Supreme e Kosovës përfundimisht më 24.05.2017 kishte vërtetuar pafajësinë e këtyre të akuzuarve.

KALLXO.com kishte siguruar CV-në e Naser Shalës.

Bazuar në CV-në e tij, Naser Shala që nga tetori i vitit 2017 është menaxher i furnizimit të shitjes në ‘Potreloum Coke Kosovo’ në Prishtinë. Pozitë të njëjtë kishte pasur edhe në ‘Team Oli Sh.P.K’ si menaxher i furnizimit, nga marsi deri në tetor të 2017.

Shala, nga janari i vitit 2004 deri në janar 2017 ka mbajtur pozitën menaxher kryesor në Barnatoren Qendrore, QKUK.

Shala është ekonomist i diplomuar në Universitetin e Prishtinës.

Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës (AKKVP) e pason Agjencinë Kosovare të Pronës.

AKKVP-ja është themeluar me miratimin nga Kuvendi i Republikës së Kosovës më 9 qershor 2016.

Kjo Agjenci ka për mandat të pranojë, krahasojë dhe përmes Komisionit për Verifikim dhe Vendosje për Prona (KVVP) të zgjidhë dallimet dhe mos pajtueshmëritë në mes të dokumenteve kadastrale origjinale të para qershorit të vitit 1999, të cilat janë marrë nga Kosova nga autoritetet serbe dhe të dokumenteve kadastrale aktuale në Republikën e Kosovës, për pronën private, pronën private komerciale dhe pronën private të bashkësive fetare.