Pamje nga një seancë e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara - Foto: REL/AFP

Britania heq nga rendi i ditës raportin e UNMIK-ut për Kosovën

Britania e Madhe, e cila ka marrë kryesimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për muajin gusht e ka hequr nga rendi i ditës raportimin e UNMIK-ut për Kosovën.

Kjo gjë ka ndodhur për herë të parë me ç’rast është thyer edhe rregulli i raportimit të rregullt çdo tre muaj.

Heqjen nga agjenda e ka konfirmuar edhe ambasadorja britanike Karen Pierce, e cila ka prezantuar agjendën e punës në Kombet e Bashkuara.

Ambasadorja e Kosovës në Washington, Vlora Çitaku përmes një postimi në Facebook e ka falënderuar Mbretërinë e Bashkuar për këtë gjë.

“Një falenderim shumë i madh për Mbretërinë e Bashkuar për heqjen e raportit të UNMIK-ut nga agjenda gjatë presidencës së tyre”, ka thënë Çitaku,

Ajo është shprehur se nuk ka kuptim të ketë debate rreth Kosovës çdo tre muaj në Këshillin e Sigurimit.

Edhe konsullja e Kosovës në New York, Teuta Sahatqija i është falënderuar qëndrueshmërisë dhe principilitetin të ambasadores, Karen Pierce dhe gjithë diplomacinë britanike së bashku me ambasadoren e ShBA-së, Nikki Haley dhe ambasadorin Delattre të Francës dhe të gjithë të tjerëve.

“Kjo paraqet një hap shumë të rëndësishëm në raport me Kosovën dhe mundësinë e ndryshimeve pozitive në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Është një fitore e madhe për të cilën kemi punuar së bashku shumë kohë”, ka shkruar Sahatqija në Facebook.

Edhe Avdullah Hoti nga LDK ka reaguar në lidhje me këtë çështje. Ai ka thënë që ky është një moment i rëndësishëm për Kosovën.

“Ky është moment i rëndësishëm, Kosova po hiqet nga agjenda e diskutimeve për vendet me konflikte në Këshillin e Sigurimit”, është shprehur Hoti në Facebook.