Breshëria e Plumbave ia Merr Jetën 9 Vjeçarit në Strellc

Incidenti kishte ndodhur rreth orës 16:15 në sheshin “Ismet Ukaj” të Strellcit.

Vdekjen e të miturit e kishte konfirmuar edhe mjeku kujdestar në Spitalin Rajonal të Pejës.

Policia e Kosovës njofton se ka arrestuar një person i cili dyshohet që nga makina e tij kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të lokalit “Doneri Jon”, ku brenda tij ishte edhe i mituri (Y.M ) dhe disa persona të tjerë.

“Hetuesit rajonalë në bashkëpunim me njësitet policore kanë arritur të arrestojnë të dyshuarin D.L. vjeç 19 , shtetas i Kosovës. Me urdhër të prokurorit shtetit është bastisur shtëpia e të dyshuarit dhe nga i njëjti është konfiskuar edhe arma automatike AK 47 cal.7.62×39 mm për të cilën dyshohet se është përdoruar gjatë kryerjes së veprës penale të vrasjes”, thuhet në komunikatën e Policisë në rajonin e Pejës.

I dyshuari është duke u intervistuar nga Policia në bashkëpunim me prokurorin e krimeve të rënda ndërsa atij i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.

Për incidentin tragjik në këtë fshat ka reaguar Kryetari i Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj.

“Deri kur shqiptaret duhet të vriten njeri me tjetrin! I tronditur nga kjo ngjarje si qytetar i parë i komunës së Deçanit jam pa koment! Një Marsh Paqësor në Deçan në këto momente sikur është i vetmi reagim i qytetarëve për të thirrur ndërgjegjen tonë kundër vrasjeve të Donjetës e Ylberit”, ka thënë Selmanaj.