Shefja e Zyrës së BE-së, Natalya Apostolova dhe kreu i Kuvendit, Kadri Veseli - Foto: KALLXO.com

Brenda Javës Emërohet Ministri i Integrimit Evropian

Ministri i Integrimit Evropian i Kosovës do të emërohet brenda kësaj jave.

Kështu ka njoftuar Natalya Apostolova, shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, pas një takimi të zhvilluar me kryeparlamentarin, Kadri Veseli.

“Jam e lumtur që kryeparlamentari më njoftoi se shumë shpejt do të publikohen raportet financiare të partisë më të madhe politike dhe brenda javës do të emërohet ministri për Integrimit Evropian”, tha Apostolova.

Këtë deklaratë ajo e bëri pas takimit të thirrur nga kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, e në të cilin ishin edhe ambasadorët e vendeve të BE-së të akredituar në Prishtinë.

Ministria e Integrimit Evropian ka mbetur pa drejtuesin e saj që nga data 9 shtator 2016, ditë kur ish-ministri Bekim Çollaku njoftoi se iu bashkua ekipit të presidentit Hashim Thaçi.

http://kallxo.com/bekim-collaku-bashkohet-ekipit-te-presidentit-thaci/

Pas takimit, Apostolova tha se me kryeparlamentarin Veseli kanë diskutuar për çështjet kyçe të Kuvendit për vitin 2017, për implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe se janë angazhuar për të zhvilluar takime më të shpeshta.

Ndërsa, Kadri Veseli tha se integrimet euroatlantike janë jetësore për Kosovën. “Ne do të vazhdojmë këtë rrugë në mënyrë të palëkundur”, tha ai, duke premtuar përmbushjen e çdo standardi e kriteri.