Brenda Burgut të Sigurisë së Lartë (VIDEO)

Gjashtë kulla vrojtimi janë të vendosura në gjashtë pika të një muri rrethues mbi 3 metra të lartë që e rrethon burgun i cili mban personat me veprat më të rënda e me rrezikshmëri të lartë në Kosovë.

Ky është burgu i Sigurisë së Lartë, që njihet edhe si burgu i ‘Dyzit’ me kapacitet prej 390 të burgosur, i ndarë në dy pavijone dhe një qendër paraburgimi.

Dy rrethoja me tela dhe me sinjalizues, japin shenja në momentin kur një person i paautorizuar tenton të hyjnë brenda burgut.

I gjithë burgu, është nën vëzhgimin e kamerave të sigurisë të cilat janë të teknologjisë së fundit.

Në një dhomë gjendet gjatë gjithë kohës një oficer i cili vëzhgon kamerat e sigurisë dhe përcjell gjendjen brenda dhe jashtë rrethojave të burgut.

Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Burgut të Dyzit, Ilir Kelmendi tregon për KALLXO.com funksionimin e burgut në tërësi.

“Rregullorja e ndërtuar e këtij burgu është dizajnuar që të gjithë të burgosurit që janë të dënuar mbi 15 vite të sillen në këtë burg”, tha Kelmendi.

Të burgosurit e vendosur në Burgun e Sigurisë së Lartë janë të dënuar kryesisht, për vrasje të rënda, terrorizëm, vjedhje, dhunime.

Çdo i burgosur që transferohet në Burgun e Sigurisë së Lartë, kalon përmes pavijonit të pranimit.

“Çdo i burgosur që vjen në Burgun e Sigurisë së Lartë, duhet të kaloj përmes pavijonit këtu ku më pas fillon, pranimi i tij, verifikimi i dosjeve, kontrolli i stafit mjekësor, e më pas kalon në pavijonin në të cilin i përket”, thotë Kelmendi.

Një i burgosur në Burgun e Sigurisë së Lartë jeton në një dhomë apo qeli hapësira e së cilës është mbi 9 metra katrorë.

“Një i burgosur e ka rutinë, zgjohet në orën 7 të mëngjesit prej orës 8 fillojnë aktivitetet ditore deri në orën 20:00. Gjatë kësaj kohe të burgosurit kanë mundësi të marrin ajër të pastër, të përdorin fushat për lojëra, kanë mundësi edhe të fitnesit, kanë mundësi edhe për aktivitete të tjera për të cilat të burgosurit shprehin dëshirë me u marrë më ato aktivitete”, tha Kelmendi.

Një dhomë e një të burgosuri përmban, një krevat, një tavolinë, televizor dhe detergjente për pastrimin e dhomës.

“Në objektin e parë i kemi të sistemuar kategorinë e të burgosurve të kategorizuar ku mbikëqyrja është më e madhe, ndërsa në objektin e dytë kemi kategorinë e të burgosurve që janë të privilegjuar ku përqindja më e madhe të burgosurve janë të kyçur në pastrim, lavanteri, në pastrim të oborrit”, tregon Drejtori Kelmendi.

Brenda burgut është e ndërtuar edhe kuzhina, ku të burgosurit kanë mundësinë të punojnë aty.

Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit, Ilir Kelmendi thotë se deri më tani nuk ka pasur raste kur një i burgosur ka tentuar të ikë nga Burgu i Sigurisë së Lartë.

Vizitat në Burgun e Sigurisë së Lartë, janë që nga dita e hënë deri në ditën e premte.

Vizitat mbahen në një objekt të caktuar, ku janë të klasifikuara dhomat e vizitave.

Një dhomë për të cilën drejtori thotë ta kenë përdorur vetëm në një rast është ai, ku mes të burgosurit dhe vizitorit, qëndron një mur i cili ndan dy pjesët e dhomës dhe një xham i cili shërben vetëm për të komunikuar përmes zërit.

Mundësia e kontrabandimit me mallra të jashtëligjshme, ekziston nëpër burgje jo vetëm në Kosovë.

Ilir Kelmendi tregon edhe për kontrabandën me mallra të paligjshme në Burgun e Sigurisë së Lartë.

“Sa i përket kontrabandës ne e dimë që është një dukuri shumë e vështirë, po ashtu është  e vështirë deri te kufizimi i saj. Por në burgun e sigurisë së lartë jemi duke punuar jashtëzakonisht shumë, që të minimizohen këto gjëra për shkak të teknikës së avancuar dhe e dimë që si telefonat mobil si edhe gjëra të tjera janë në masa të vogla dhe ndonjëherë është vështirë të kontrollohen”, tregon ai, duke shtuar se kanë hasur në një rast të tillë por që është evidentuar menjëherë dhe nuk është përsëritur më.

Sipas Kelmendit, siguria e të burgosurve është në rend të parë, pastaj vije siguria e stafit, personelit dhe më pas e shoqërisë.

‘Sa i përket furnizimit, ne e kemi një kompani kontraktuese, që është nga SHKK, për furnizim me artikuj ushqimor ku janë mbi 100 artikuj ku janë të përfshira edhe cigaret edhe kartelat e telefonave të kabinave që janë brenda burgut”, tregon tutje Kelmendi, duke theksuar se nuk gjenden të gjitha artikujt por që mundohen t`i plotësojnë të gjitha nevojat e të burgosurve.

Brenda rrethojave të Burgut të Sigurisë së Lartë ekzistojnë edhe dy punëtori për të cilat, U.D. drejtori i BSL, Kelmendi tregon se do të marrin një investim nga një organizatë dhe e cila do të u mundësoj të burgosurve që të punojnë.

Muri rrethues, patrullues i cili rrethon Burgun e Sigurisë së Lartë, mbikëqyret nga një staf i armatosur i cili sipas Kelmendit kanë autorizim që, në raste se ka rrezik, gardianët të përdorin armët e tyre të vendosura në trupin e tyre.

“Qëllimi i këtij muri patrullues është që të përcillet gjendja e sigurisë, brenda hapësirës së burgut të Sigurisë së Lartë”, tregon Kelmendi, duke shtuar se personeli i cili patrullon përdorin armë të gjata dhe të shkurta.

Burgu i Sigurisë së Lartë i cili mban personat me veprat më të rënda në Kosovë gjendet në Gërdovc.