Një e mbijetuar jashtë shtëpisë së saj në Bosnjë. Foto: Amnesty International.

Bosnjës Thirrje të Përshpejtojë Gjykimet për Përdhunimet Gjatë Luftës

Autoritetet boshnjake duhet të përshpejtojnë ndjekjen penale të rasteve të përdhunimeve gjatë luftës për t’u siguruar që viktimat të kenë drejtësi, thuhej në një raport të ri të titulluar “Ne kemi nevojë për mbështetje, jo për mëshirë”, të publikuar nga “Amnesty International” sot.

“Më shumë se dy dekada pas luftës, dhjetëra mijëra gra në Bosnjë po vazhdojnë të përpiqen të rindërtojnë jetët e tyre të shkatërruara me pak qasje në ndihmën mjekësore, psikologjike dhe financiare për të cilën ato kanë dëshpërimisht nevojë,” tha Gauri van Gulik, zv/drejtor i “Amnesty International” për Europë.

“Me kalimin e çdo viti ashtu ikën edhe perspektiva për të arritur drejtësi apo për të marrë mbështetje për të cilën ato kanë të drejtë,” shtoi van Gulik.

Gjatë konfliktit, mijëra gra dhe vajza iu nënshtruan përdhunimeve dhe formave të tjera të dhunës seksuale nga grupet ushtarake dhe paraushtarake, tha “Amnesty International” në raport.

Por gjykatat në të gjithë vendin kanë përfunduar vetëm 123 raste ku përfshihen akuza për dhunë seksuale që nga viti 2004, edhe pse numri i ndjekjeve penale është rritur gjatë viteve të fundit, shtoi ajo.

Bashkë me përshpejtimin e gjykimeve, “Amnesty International” u bëri thirrje autoriteteve boshnjake që të sigurohen që viktimat të marrin ndihmën e duhur psikologjike.

Grupi i fushatës gjithashtu i bëri thirrje Bosnjës të shqyrtojë rishikimin e kodeve të saj penale për t’i dhënë fund mundësisë që dënimet për krime sipas ligjit ndërkombëtar të konvertohen në gjoba, pasi një praktikë e tillë përbën dhënie amnistie, e cila ndalohet sipas të drejtës ndërkombëtare.

Sipas ligjit të Bosnjës, të gjithë vendimet përfundimtare deri në një vit burg mund të konvertohen në gjobë, gjë e cila ka ndodhur në disa raste krimesh lufte.

“Amnesty International” gjithashtu i bëri thirrje gjykatave në Bosnje dhe Hercegovinë që të nderojnë viktimat që dëshmojnë në rastet e krimeve të luftës duke i informuar ata për të drejtën për të paraqitur kërkesa për kompensim për dëme materiale dhe jomateriale dhe duke u konsultuar me ata para se të hyjnë në marrëveshje për pranim faji me të akuzuarin.

“Amnesty International” bëri thirrje më tej që gjykatat të japin arsyetim të qartë për secilin rast individual kur vendosin nëse duhet ta ulin dënimin për shkak të rrethanave lehtësuese.

“Zbatimi i rrethanave lehtësuese në rastet ku përfshihen krime sipas ligjit ndërkombëtar nuk duhet të çojë kurrë që dënimet e vendosura të jenë në një nivel që ligji parashikon për krime të lehta,” thuhej në raport.

“Amnesty International” i bëri thirrje institucioneve boshnjake të krijojnë një fond kompensimi për viktima për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, sidomos për të trajtuar çështjet ku autorët e dënuar nuk janë në gjendje të paguajnë dëmet e vendosura nga gjykatat.

Ajo i bëri gjithashtu thirrje Gjykatës Kushtetuese të rishqyrtojë qëndrimin se statuti i kufizimit zbatohet për kërkesat për kompensim që kanë lidhje me krimet sipas ligjit ndërkombëtar.

Me qindra ish të ndaluar kampi në Bosnjë dhe Hercegovinë kanë ngritur padi kundër entiteteve në vend për dëme, por për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, këto raste janë refuzuar sepse statuti i kufizimeve ka kaluar.

“Përderisa trauma e së kaluarës nuk mund të ripërjetohet, nuk është tepër vonë për t’u siguruar që e ardhmja e këtyre grave është një e tillë ku të drejtat dhe dinjiteti i tyre më në fund mund të rimbursohen,” tha van Gulik.