Abu Hamza

Bosnja Liron Abu Hamzën Pas 7 Vjetësh Burg pa Gjyq

Imad Al-Husin, një nënshtetas sirian i njohur edhe si Abu Hamza, u lirua të enjten pasi kaloi shtatë vjet në një qendër për emigrantë të paligjshëm pa iu nënshtruar asnjë gjyqi, në Lukavica, në periferi të Sarajevës.

“Babai ynë sapo u kthye në shtëpi pas më shumë se shtatë vjetësh,” deklaroi një nga vajzat e tij Nudzejma Softic, në faqen e saj në Facebook.

“Ne jemi shumë të lumtur që e kemi sërish mes nesh,” tha Nudzejma për BIRN, duke shtuar se ai “dëshiron të rekuperojë kohën që e kaloi larg familjes” dhe “nuk dëshiron të komentojë për periudhën që kaloi si i ndaluar”.

Abu Hamza u lirua pasi Bosnja miratoi një ligj të ri për të huajt në fund të vitit 2015, ligj që ndalon autoritetet të burgosin nënshtetas të huaj për më shumë se 18 muaj.

Abu Hamza mbërriti në Jugosllavi si student në vitet 1980. Gjatë luftës së viteve 1992-5 në Bosnjë, ai luftoi për Brigadën El Mujahid dhe më pas u martua me një boshnjake dhe mori nënshtetësinë e republikës së re.

Gjithsesi, në vitin 2008, autoritetet e arrestuan atë me dyshimin se përbënte kërcënim për sigurinë kombëtare, ia hoqën nënshtetësinë e Bosnjës dhe e mbajtën atë të ndaluar në qendrën e emigrantëve në pritje për ta deportuar në Siri.

Procesi i ekstradimit të tij gjithsesi u bllokua nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, e cila deklaroi se ai mund të vuante keqtrajtim dhe torturë nëse rikthehej në Siri.

Pavarësisht kësaj, gjykata nuk urdhëroi lirimin e tij. Për pasojë, Abu Hamza mbeti i izoluar në qendrën e ndalimit të refugjatëve për shtatë vjet pa gjyq.

Pasi Bosnja ndryshoi ligjin për të huajt, avokati i tij Nedim Kulenovic deklaroi për BIRN se lirimi i tij pritej të kryhej shpejt.

Gjithsesi, Ministri i Sigurisë së Bosnjës Dragan Mektic, deklaroi para medias se Bosnja vijon ta shohë atë si rrezik dhe se autoritetet do të vijojnë të marrin masa kundër tij.

“Ai vijon të përbëjë rrezik për sigurinë për ne dhe ne do të punojmë për ta deportuar atë nga Bosnja dhe Hercegovina,” deklaroi Mektic.

Në një njoftim për shtyp pas lirimit të Abu Hamza, Shërbimi për të Huajt në Bosnjë dhe Hercegovinë, institucioni përgjegjës për trajtimin e banorëve jo-nënshtetas të Bosnjës, tha se urdhri për largimin e tij nga vendi mbetet në fuqi.

“[Imad Al-Husin] vijon të përbëjë kërcënim për sigurinë kombëtare të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Shërbimi ynë do të vijojë aktivitetet për të gjetur një vend të tretë që do ta pranojë këtë nënshtetas të huaj. Objektivi mbetet largimi i tij nga Bosnja dhe Hercegovina,” shkruhet në deklaratë.

Sipas Shërbimit për të Huajt, Abu Hamza do të vijojë të përballet me kufizime në lirinë e tij: ai nuk do të ketë leje të largohet nga Kantoni i Sarajevës dhe do të jetë i detyruar të raportojë te Shërbimi i Punëve të Jashtme dhe te policia “deri sa ai të largohet nga Bosnja dhe Hercegovina”.