Një përkujtimore e mëparshme në Omarska.

Boshnjakët Shënojnë Përvjetorin e Lirimit nga Kampi në Omarska

Të mbijetuar, shoqata viktimash dhe dashamirës kanë përkujtuar fillimin e lirimit të të ndaluarve nga kampi Omarska në gusht të vitit 1992 dhe u bënë homazhe atyre që vdiqën në kamp.

Mirsad Duratoviç, kryetari i shoqatës së të ndaluarve “Prijedor ‘92”, kujtoi se si ai u dërgua në Omarska më 20 korrik 1992, pas një operacioni serb të Bosnjës në fshatin Biscani, kur ai ishte vetëm 17 vjeç.

Ai tha se ndërsa mbahej në kamp, atij iu dha “trajtimi” i plotë si të gjithë të ndaluarit e tjerë.

“Kjo do të thotë se u mora për t’u pyetur, më rrahën dhe më lanë të vuaja urinë. Çfarëdo që u bënë të gjithë të burgosurve të tjerë, na i bënë edhe neve, të miturve, si edhe grave që mbaheshin në kamp. Tridhjetë e shtatë gra përdhunoheshin disa herë në ditë,” tha ai.

Duratoviç tha se ai i kishte dërguar ftesa zyrtarëve në të gjitha nivelet e qeverisë dhe organizatave ndërkombëtare që të merrnin pjesë në përkujtimore.

“Të gjithë ata që duhet të kujdesen jo vetëm për mbrojtjen e të drejtave të ish të ndaluarve, por edhe të viktimave civile të luftës, janë ftuar,” tha ai për BIRN.

“Ata duhet të vijnë në Omarska dhe të shohin se nuk ka asnjë tabelë përkujtimore apo ndonjë shenjë për t’i kujtuar njerëzve atë që ka ndodhur në periudhën nga 25 maji deri më 21 gusht 1992,” shtoi ai.

Rreth 6,000 burra dhe gra boshnjake dhe kroate u arrestuan në Omarska dhe rreth 700 prej tyre u vranë gjatë tre muajve në të cilët kampi funksionoi gjatë luftës në Bosnjë.

Ai u mbyll më në fund më 21 gusht 1992, kur grupi i fundit i të burgosurve u transferua në kampin e paraburgimit në Trnopoje.

Aktivisti Sudbin Musiç tha se fakti që ende nuk kishte një memorial në vendin ku ishte kampi i turpshëm.

“Fakti i thjeshtë se këtu nuk është vendosur as edhe një tabelë e vetme për t’i kujtuar njerëzve për vuajtjet dhe vrasjet që ndodhën në Omarska thotë shumë për progresin e bërë në Bosnjë dhe Hercegovinë kur vjen puna për t’u ballafaquar me kaluarën,” tha Musiç.

Gjykata e Hagës dhe gjykata shtetërore boshnjake kanë shpallur disa të pandehur fajtorë për krime në kampet e burgimit në zonën e Prijedorit, përfshirë Omarska.

Ish-liderët ushtarakë dhe politikë serbë të Bosnjës Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mlladiç, të cilët janë të dy në gjyq në Hagë, akuzohen gjithashtu për përgjegjësi për krime në Prijedor.