Arkiv

Bordi i ZRrE-së lejon edhe për 90 ditë operimin e dy hidrocentraleve pa leje

Një vendim i datës 28 mars i bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë obligonte kompaninë “KelKos Energy Sh.P.K” që brenda 90 ditëve të pajiset me certifikatë të përdorimit dhe leje mjedisore nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në mënyrë që të pajiset investitori me licencë për prodhim të energjisë elektrike.

Por, ky afat prej tre muajsh nuk është respektuar nga “KelKos Energy”.

Kjo kompani më datën 26 qershor kërkoi nga bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë që t’i vazhdohej afati kohor për kompletimin e dokumenteve për hidrocentralet “Bellaja” dhe “Deçan” edhe për 90 ditë të tjera.

Në mbledhjen e së mërkurës, bordi i ZRrE-së aprovoi kërkesën e kompanisë me shumicë votash.

Bordi i ZRrE-së ishte i përbërë nga Arsim Janova, kryesues, Selman Hoti, Izet Rushiti dhe Besim Sejfijaj anëtarë.

Përfaqësuesi i ZRrE-së, Afrim Ajvazi ka dhënë edhe shpjegimet për kërkesën e kompanisë investuese “KelKos Energy”. Ai tha se për hidrocentralet “Bellaja” dhe “Deçan”, ZRrE kërkon nga bordi që të shtyhet afati kohor edhe për 90 ditë të tjera.

“Kemi pasur takime edhe me Ministrinë dhe me investitorin, dhe ka ardhur shkresa prej Ministrisë së Mjedisit e cila e udhëzon ZRrE-në që brenda periudhës kohore 90 ditore, Ministria do ta përfundojë projektin, dmth do ta lëshojë certifikatën e përdorimit. Janë në proces të shqyrtimit, kanë pranuar krejt dokumentet e nevojshme dhe për shkak të specifikave janë ende duke e shqyrtuar. Kemi propozuar bordit në përputhje dhe në koordinim me Ministrinë t’i mundësohet edhe një afat prej 90 ditë që investitori ta sjellë dëshminë e fundit që kërkohet në këtë proces dhe të vazhdojë të operojë”, deklaroi Ajvazi para anëtarëve të bordit të ZRrE-së.

Siç thuhet në vendimin e ZRrE-së të datës 28 mars, e të cilin e posedon Gazeta Jeta në Kosovë, “KelKos Energy” me datë 24 shkurt të vitit 2016 kishte bërë një kërkesë për marrjen e licencës për prodhimin e energjisë elektrike. Pas shqyrtimit të kërkesës, ZRrE kishte vërejtur se kompanisë i kishte munguar leja mjedisore, e cila lëshohet nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, dhe siç thuhet në vendim, nga ajo kohë deri më tani, “KelKos Energy” nuk e ka dërguar lejen mjedisore në ZRrE.

ZRrE ishte njoftuar zyrtarisht me datë 22 janar 2019 nga MMPH se kompania “KelKos Energy” nuk kishte aplikuar në këtë Ministri për leje Mjedisore për prodhim të rrymës elektrike.

Ndërsa, më 1 mars të këtij viti, vetë ministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, kishte njoftuar ZRrE-në se operatori ekonomik “KelKos Energy” nuk i kishte plotësuar të gjitha kushtet administrative për ndërtimin e hidrocentraleve në Lumbardh të Deçanit, dhe si rrjedhojë Ministria kishte vlerësuar se nuk janë plotësuar kriteret ligjore për operim.

Ndonëse, “KelKos Energy” nuk i kishte plotësuar kushtet dhe dokumentet e nevojshme, operimi në dy hidrocentralet, “Bellaja” dhe “Deçan”, ishte lejuar me kushtin që brenda 90 ditëve kompania t’i plotësoj dokumentet e nevojshme, por ky afat është vazhduar edhe për tre muaj të tjerë.

Vjetërsohet lënda ndaj kompanisë që planifikon të investojë miliona në hidrocentrale

www.kallxo.com