RTK - Foto: Atdhe Mulla

Bordi i RTK-së votoi për Drejtorin e Përgjithshëm, epilogu i paqartë

Anëtarët e Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) kanë votuar sot për Drejtorin e Përgjithshëm të këtij televizioni, por për shkak të paqartësive ligjore, është kërkuar një interpretim ligjor nëse kandidati më i votuar është zgjedhur për drejtor.

Në votimin e sotëm, Ngadhnjim Kastrati ka marrë votat e gjashtë nga shtatë anëtarët që kanë votuar.

Bordi i RTK-së duhet t’i ketë 11 anëtarë, por katër anëtarë nuk janë votuar ende nga Kuvendi i Kosovës.

“Bordi i Radio Televizionit të Kosovës (RTK) duke u bazuar në nenin 30 pika 7 të Ligjit për RTK-në sot ka votuar në mënyrë të hapur për kandidatët për Drejtor të Përgjithshëm. Kandidati i parë ka marrë 6 vota për dhe një kundër. Bazuar në nenin 30, pika 4, ku thotë se “kuorumi mbledhjeve të Bordit është gjashtë (6) anëtarë”, dhe meqenëse neni 32.3 i Ligjit për RTK-në është i paqartë rreth cilësimit të 2/3 të anëtarëve, Bordi ka vendosur që të kërkojë interpretim ligjor për këtë nen. Pas marrjes së interpretimit ligjor, Bordi do ta konstatojë gjendjen”, tha për RTKLive Afërdita Maliqi.

Në garë për drejtor të RTK-së ishin Ngadhnjim Kastrati, Nexhmedin Spahiu, Menduh Abazi, Lorik Arifaj, Ragip Luta, Festim Kabashi e Azem Bujupi.

RTK ka mbetur pa drejtor të përgjithshëm tash e dy muaj pasi drejtorit të kaluar, Mentor Shalës, i ka skaduar mandati.

Ushtrues Detyre i Drejtorit të Përgjithshëm është emëruar Mufail Limani.