Donjeta Sadiku

Boksieres kosovare i refuzohet pjesëmarrja në gara në Indi

Pas lajmit të djeshëm se Spanja e ka pranuar Kosovën për të marrë pjesë me simbolet e saj shtetërore në një garë ndërkombëtare në karate, fatin e njëjtë duket se nuk e ka pasur Federata e Boksit të Kosovës për të shkuar në Indi.

Boksieres kosovare Donjeta Sadiku i është refuzuar një kërkesë për vizë për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit për femra në kategorinë e senioreve që ishte paraparë të mbahet atje.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com sekretari i Federatës së Boksit të Kosovës, Latif Demolli.

Ai tha se kërkesën për këtë kampionat e kishin bërë përmes Shqipërisë dhe se problem i njëjtë është shfaqur edhe vitin e kaluar pasi India nuk po e njeh Kosovën si shtet.

“Ne para dy muajsh kemi aplikuar për vizë në Shqipëri, pasi vitin e kaluar kemi pasur problem me pasaporta të Kosovës, ka qenë kampionati për seniore, ne këtë vit kemi aplikuar më pasaporta të Shqipërisë, por prapë shteti i Indisë kryesisht Ministria e Punëve të Jashtme e Indisë nuk na ka lejuar që të marrim pjesë as këtë vit sepse ne jemi paraqitë që të marrim pjesë si shtet i Kosovës, me flamur të Kosovës në kampiontin botëror”, tha Demolli.

Ai po ashtu shtoi se kjo gjë është në kundërshtim me të drejtat e njeriut.

“Deri më dje kemi qenë të sigurt që do të na lejojnë por dje e kemi marrë njoftimin. Kjo për ne është një neglizhencë e madhe nga kampionati botëror, kjo është në kundërshtim me të drejtat e njeriut së pari. Ne e kemi pas ftesën e Komiteti Olimpik të Indisë, të gjithë na kanë leju vetëm se Ministria e Punëve të Jashtme e Indisë nuk e ka pranu sepse nuk e njeh Kosovën si shtet dhe flamurin e Kosovës”, tha Demolli për KALLXO.com.

Qeveria e Spanjës dorëzohet, i njeh simbolet shtetërore të Kosovës