Boiken Abazi: Dita e Europës do të shënohet në Tiranë në shoqërinë e dy neoshovinistëve serbë

Lëvizja Vetëvendosje qendra në Shqipëri është duke protestuar kundër vizitës së Aleksandar Vuçiqit dhe Milorad Dodikut në Tiranë për të marrë pjesë në takimin e Brdo-Brione.

Boiken Abazi drejtor ekzekutiv nga qendra në Tiranë tha se Aleksandar Vuçiqit dhe Milorad Dodikut, janë kundër popullit shqiptarë dhe hasmërinë e tyre e kanë shpallur edhe haptazi.

“Dita e Europës do të shënohet këtu nën shoqërinë e dy neoshovinistëve serbë. Ka disa politikanë të papërgjegjshëm shqiptarë që mendojnë se Vuçiqi ka ndryshuar, por ai është shprehur hapur se nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës, synimi i tyre nuk ka ndryshuar sepse ata duan ta marrin veriun e Kosovës”, ka thënë Abazi.

Tutje Abazi ka treguar se kanë marrë përkrahje të shumta për protestën që po mbahet në Tiranë.

“Për këtë protestë na kanë ardhur shumë mesazhe për përkrahje. Ne kemi marrë mbështetje nga organizata “Thirrjet e Nënave”, ka shtuar ai.

Abazi ka shtuar tutje se dy shtetet, Kosova dhe Shqipëria vetëm me bashkim mund ta shpëtojnë njëra-tjetrën.