Saranda Bogujevci

Bogujevci: Nuk jam për Tribunal ndërkombëtar, por një gjykatë brenda Kosovës kundër krimeve serbe

Deputetja e VV-së, e mbijetuar e luftës, Saranda Bogujevci deklaroi sot se që nga mosha 15 vjeçare është marrë me shumë gjykime, dhe se ka mësuar shumë gjëra pa dëshirën e saj, por ashtu është dashur të ndodhë.

“Një Tribunal ndërkombëtar duhet të financohet nga dikush, nuk kemi kompetenca. Dhe kjo më bën skeptike për këtë Tribunal. Kam mësuar se duhet t`i kryesh detyrat tua për ta mundësuar drejtësinë. Ka shumë gjëra që duhet t`i ndërtojmë brenda vendit. Unë nuk jam për tribunal ndërkombëtar jam për një gjykatë brenda Kosovës”, tha ajo.

Bogujevci, deklaroi se duhet të ndërtohen mekanizma shtetëror duke filluar prej dokumentimit të krimeve dhe të ri-themelohet Instituti për Krime të Luftës për mbledhjen e fakteve.

“Të rritet numri i prokurorëve për hetimin e krimeve të luftës. T`i kryejmë detyrat tona së pari. T`u tregojmë dëshmitarëve, familjeve tona si duhet të veprohet. Të dimë se pari çka nënkupton kjo. Këto gjëra duhet t`i dimë paraprakisht. Ka shumë punë që duhet bërë para këtij Tribunali si dhe a do të mund ta formojmë atë. Një propozim ka ardh që data 14 prill të jetë data që përkujton të gjitha viktimat e dhunës seksuale në Kosovë”, tha Bogujevci në takimin gjithëpërfshirës për Lansimin e Tribunalit Ndërkombëtarë për krimet e Serbisë në Kosovë.

Në këtë takim po marrin pjesë edhe përfaqësues të qeverisë, organizatave dhe shoqatave për krime të luftës, deputetët të Kuvendit të Kosovës nga pozita dhe opozita. Në këtë takim po merr pjesë edhe kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi, rektori i UP-së Marjan Dema e të tjerë.

KALLXO.com transmetoi direkt seancën nga Kuvendi i Kosovës, kliko në LINK