Blerim Kuçi, deputet i AAK-së

Blerim Kuçi: Qeveria ka marr vendim të ligjshëm

Blerim Kuçi, deputet i AAK-së, tha se i ka vërejtjet e tij për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme që po mbahet sot e që po zhvillohet debat parlamentar për shpenzimet e Qeverisë për festën e pavarësisë së Kosovës.

“E dyta ka të bëjë me një vendim të qeverisë që shumë mirë i referohet neneve dhe ligjeve të caktuara. Asnjë ligj nuk është shkelë për marrjen e atij vendimi për shpenzimet. Për deputetët të cilët nuk i kanë njohuritë e duhura duhet vetëm t’i referohen neneve”, arsyetoi Qeverinë deputeti Kuçi.

Deputeti i AAK-së, ka kritikuar edhe kryetarët e Komisioneve parlamentare nga radhët e LDK-së, Driton Selmanajn dhe Lumir Abdixhikun.

“Ajo që më çuditë është, që zotëri Selmanaj, nga Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, e di që ekziston Auditori i Përgjithshëm. Ka pasur të drejtën ta thirr atë dhe të analizohet rasti, por kanë thirr seancë të jashtëzakonshme. Edhe zotëri Lumir Abdixhiku kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa, nuk na ka thirr ta diskutojmë nëse ka shkejlje. Nuk mund të na shesin moral ata që kanë thirrur seancë të jashtëzakonshme”, tha Kuçi.

Ndërkaq, deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj tha se logjika e deputetit Kuçi është të tregojë mbulimet e shkeljeve.

“Nuk guxojmë të shkojmë me këtë logjikë. Raportet e auditorit kanë mostër si auditojnë një institucion dhe shpeshherë çështjet që ne kemi interes, nuk janë aty sepse nuk ka rënë mostra. Prandaj ne nuk duhet të varemi vetëm nga raportet e Zyrës Kombëtare të Audimit”, tha ai.

Në kundër replikë, u shfaq sërish deputeti Kuçi.

“Po e shoh që nuk po i pëlqen Dritonit të flasim nga aspekti ligjor”, tha ai.

Në anën tjetër, shefi i grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, tha se do të rezervohet të flas për këtë çështje, derisa ta dëgjojnë versionin e Qeverisë.