FOTO KPK: Mbledhja e Këshillit Prokurorial të Kosovës

Blerim Isufaj mbron Aleksandër Lumezin

Këshilli Prokurorial i ka dalë në mbrojtje kryeprokurorit Aleksandër Lumezi.

Përmes një komunikate për media, Këshilli Prokurorial ka bërë të ditur se janë të shqetësuar me zhvillimet e fundit në Prokurori pas dorëheqjes se Elez Blakaj dhe diskutimeve publike që po bëhen për këtë rast.

Këshilli Prokurorial i ka quajtur të papranueshme përpjekjet e atyre që siç thonë ata po tentojnë ta njollosin punën e këshillit prokurorial.

“Tendenca për të njollosur punën e Këshillit Prokurorial dhe organeve të tij, si dhe përpjekjet për ta devalvuar punën e Prokurorit të Shtetit nga kushdo qoftë, përfshirë edhe grupe politike janë të papranueshme dhe i cilësojmë si ndërhyrje në punën tonë dhe cenim të pavarësisë së garantuar me Kushtetutë dhe ligj”, thuhet në komunikatën e këshillit Prokuorial.

Ata gjithashtu thonë se Prokurori i shtetit e ka obligim kushtetues të veproj i pavarur.

Ky këshill udhëhiqet nga Blerim Isufaj, i cili u përmend në letrën e gjatë të ish prokurorit Elez Blakaj. Ky i fundit shkruan se Blerim Isufaj i kishte kërkuar që të mos e fut në aktakuzë Rrustem Berishën, tani ministër i Forcës dhe Sigurisë së Kosovës.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës garanton qytetarët e Kosovës se do të vazhdojë punën e pakursyer për të krijuar një ambient ku sundon rendi dhe ligji”, thuhet në fund të kësaj komunikate.