Gjykimi i ish-krerëve të Telekomit - Foto: KALLXO.com

Blerim Devolli rrëfen për takimet me ish-krerët e Telekomit për kontestin PTK - Z-Mobile

Ish-kryetari i bordit të Telekomit, Rexhë Gjonbalaj dhe dy ish-kryeshefët e kësaj kompanie publike, Agron Mustafa e Ejup Qerimi, janë deklaruar të pafajshëm para Gjykatës.

Në seancën e sotme përfaqësuesi i të dëmtuarit Blerim Devolli, avokati Driton Musliu dhe përfaqësuesi i të dëmtuarit Milot Gjikolli, avokati Faton Qirezi, kanë deklaruar se heqin dorë nga kërkesa pasurore-juridike, pasi sipas tyre kjo kërkesë ishte realizuar në një procedurë tjetër pranë arbitrazhit.

Blerim Devolli, pronar i kompanisë “Z-Mobile”, ka rrëfyer para Gjykatës për takimet e tij me ish-krerët e Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa dhe Ejup Qerimi.

“Me Agron Mustafën kam pas një takim zyrtar në zyrën e tij dhe qëllimi i atij takimi ka qenë njoftimi mes nesh”, tha ai.

Më pas Devolli tha se me të akuzuarin Ejup Qerimin,  ishin takuar në zyrën e PTK-së, së bashku me Milot Gjikollin dhe Elvis Pistën, dhe se gjatë atij takimi kishin diskutuar për problemet që kishte pasur drejtori menaxhues me kompaninë “Vala”, për shërbimet me 3G dhe 4G, duke shtuar se në këtë takim nuk ishte arritur asnjë marrëveshje, pasi sipas tij takim kishte qenë i ftohtë.

Kurse prokurori Naim Abazi të dëmtuarin Blerim Devolli e ballafaqoi me deklaratën e tij të dhënë në Polici, në të cilën kishte deklaruar se i akuzuari Ejup Qerimi i ishte drejtuar me fjalët “… unë jam baba, ndërsa ti je djali…”, dhe se në fund të këtij takimi ishin detyruar të dalin nga zyra për shkak të ofendimeve që u ishin bërë nga Ejup Qerimi.

Mirëpo në lidhje më këtë deklaratë, i dëmtuari Devolli tha se i akuzuari Ejup Qerimi kishte menduar se Z-Mobile i kishte pasur borxh Telekomit.

Sipas deklaratës së Blerim Devollit, ky takim mes tyre kishte qenë i ftohtë, për shkak të sjelljeve dhe fyerjeve që u ishin bërë nga i akuzuari Ejup Qerimi.

https://kallxo.com/rrefimi-i-blerim-devollit-per-takimet-me-shefat-e-telekomit/?fbclid=IwAR0wxcNoXdjUToBO_Dn9z9nZo7kDRABf4UE_zWJhZ1GYfByVLlHPafIDyTg

Ndërsa, për të akuzuarin Agron Mustafa, Devolli tha se ishin takuar në zyrën e Agron Mustafës ku kishin diskutuar për problemet që kishin hasur dhe mënyrën se si mund të tejkalohen ato.

Sipas tij, kur ishte hapur procesi i arbitrazhit në Gjykatën e Londrës, i akuzuari Mustafa kishte kërkuar që të shtyhej afati prej tre muaj, por tha se procedura në Arbitrazh ishte zhvilluar pasi kishte qenë vonë.

Ai tha se në kohën kur i akuzuari Ejup Qerimi kishte qenë drejtor në PTK, Z-Mobile nuk i kishte pasur borxh PTK-së.

Blerim Devolli më pas tregoi se rastin në Gjykatën e Arbitrazhit e kishin dërguar për shkak të moslëshimit të shërbimeve të SIM kartelave, që sipas tij përgjegjës kishte qenë VALA, ndërsa për arsyen e moslëshimit të këtyre kartelave tha se nuk e dinte.

Kurse drejtori ekzekutiv i Z-Mobile, Milot Gjikolli, tha se pasojat e kontratës mes Z-Mobile dhe PTK kanë filluar të rrjedhin për mosbarazimin financiar, i cili sipas kontratës ishte dashur të bëhej çdo tre muaj, por që sipas tij ky barazim ishte shtyrë për një vit. Në ndërkohë ai tha se probleme kishin edhe me SIM kartelat dhe shërbimet 3G dhe 4G.

Në periudhën sa ishte Kryeshef ekzekutiv i akuzuari Ejup Qerimi, i dëmtuari Milot Gjikolli tha se probleme kishin pasur me SIM kartela, ku në atë kohë ishte shtuar edhe kërkesa e tyre për akumulimin e numrave shtesë, gjithashtu edhe fenomeni SIM to SIM, ku sipas tij ish dashur të përfundonte në atë kohë.

Më tutje Gjikolli shtoi se qëndrimi i Agron Mustafës lidhur me shqetësimet e tyre kishte qenë shumë pozitiv dhe takimet e tyre kishin qenë relaksuese, por që sipas Gjikollit asnjëherë më parë nuk kishin pasur aso lloj takime në të cilat ish Kryeshefi ekzekutiv Mustafa u kishte dhënë shumë shpresa se do të bëhet një  zgjidhje por që sipas drejtorit ekzekutiv të “Z-Mobile”, Milot Gjikolli, rruga e vetme ishte përmes  Arbitrazhit.

“Arbitrazhi kemi vendosur me shku se kemi qenë 2 vjet pa numra, 2 vjet pa 3G dhe 4G, ku kemi pasur humbje të mëdha dhe sistemi i delegimit brenda në ”PTK” unë nuk e di qysh është, mirëpo s’kemi pasur kohë ma me prit”, tha Milot Gjikolli.

Kurse në pyetjen e prokurorit nëse para fillimit të seancës gjyqësore të Arbitrazhit kishte pasur tendenca për t’u arritur një marrëveshje, drejtori ekzekutiv i “Z Mobile” u përgjigj kështu: “Ndoshta ka pasur, por me mua jo”.

Për të akuzuarin Rexhë Gjonbalaj, Milot Gjikolli tha se asnjëherë nuk kanë pasur takime por pasi që të dy jetojnë në të njëjtin qytet, në Pejë, rastësisht janë takuar dhe vetëm janë përshëndetur, duke shtuar se sipas tij Z-Mobile çdo obligim e ka kryer me përpikëri sipas afatit.

Pastaj mbrojtësi i të akuzuarit Ejup Qerimi, avokati Ramiz Krasniqi e pyeti Gjikollin nëse këto obligime të cilat ai i përmendi të kenë qenë të Ejup Qerimit apo të PTK-së.

“I gjithë ky kontest ka qenë mes Z-Mobile dhe PTK-së”, u përgjigj Gjikolli.

Më pas në pyetjen e anëtares së trupit gjykues, gjykatëses Nushe Kukaj, drejtuar Milot Gjikollit, nëse i njëjti e ndjente veten të dëmtuar në këtë rast, ai tha se nuk e ndjen veten të dëmtuar por si kompani tha se janë dëmtuar.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, i pandehuri Ejup Qerimi gjatë periudhës kohore shkurt 2012 tetor 2014, duke shfrytëzuar detyrën, respektivisht autoritetin zyrtar nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllim që t’i shkaktojë dëme materiale dikujt tjetër. Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale, “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ndërkaq, i pandehuri Agron Mustafa nga data 19.02.2015, kur ka marrë pozitën udhëheqëse e deri në momentin kur më datë 24.05.2017, kur ky i pandehur edhe pse nuk ka qenë kompetent kishte lidhur marrëveshjen për ekzekutimin e vendimit final, i pandehuri Agron Mustafa duke shfrytëzuar detyrën, respektivisht autoritetin zyrtar nuk ka përmbushur detyrat e tija zyrtare, me qëllim që t’i shkaktojë dëme materiale një kompanie tjetër. Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Po ashtu, në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, theksohet se i pandehuri i tretë Rexhë Gjonbalaj duke shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare nuk ka përmbushur detyrën e tij zyrtare me qëllim që t’i shkaktojë dëme materiale dikujt tjetër. Me këto veprime i pandehuri Rexhë Gjonbalaj ka kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Aktakuza ka të bëjë me veprimet që i paraprinë vendimit të gjykatës dhe pastaj kontestit në Arbitrazh, e të cilat u përmbyllën me marrëveshjen në mes të Z-Mobile dhe Valës.

Agron Mustafa dhe Ejup Qerimi, në kohë të ndryshme, kanë mbajtur pozitën e kryeshefit të Telekomit. Ndërsa, Rexhë Gjonbalaj ka qenë kryetar i bordit të Telekomit të Kosovës.

KALLXO.com raportoi në shkurt të këtij viti që Gjykata e Apelit kishte vendosur që ta përmbysë vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, duke i dërguar në gjykim tre të akuzuarit në rastin e Telekomit.

KALLXO.com mësoi se Gjykata e Apelit e kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale ndaj aktvendimit të Gjykatës Themelore të marrë në dhjetor të vitit të kaluar.

https://kallxo.com/apeli-i-kthen-ne-gjyq-ish-drejtuesit-e-telekomit/

Me 27 shtator të vitit të kaluar, të gjithë të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat të cilat u viheshin në barë.

Aktakuzën ka qenë duke e përfaqësuar prokurori Special Florie Shamolli, ndërsa rasti është gjykuar nga gjykatësi Lutfi Shala.

Më 24 maj të vitit 2017, Telekomi i Kosovës dhe Dardafon (Z-Mobile) kishin arritur marrëveshje për përmbylljen e vendimit të arbitrazhit rreth kontratës për operator virtual të telefonisë mobile.

Vendimi ishte paraqitur si një triumf për kompaninë pasi e lironte Telekomin nga obligimi i pagesës prej 30 milionë eurove për kompaninë Z-Mobile.

Në vitin 2016 gjykata e arbitrazhit kishte vendosur në favor të kompanisë Z Mobile në kontestin me Telekomin. Vendimi krijonte obligime për të kompensuar një dëm prej 30 milionë euro.

Menjëherë pas vendimit, pushtetarët dhe njerëzit e drejtësisë kishin reaguar duke kërkuar hetime dhe përgjegjësi për këtë humbje.

Gjakrat ishin qetësuar disa muaj më vonë kur Telekomi dhe Z-Mobile u dakorduan që vendimi për pagesën e 30 milionë eurove të mos zbatohej.