Foto: Kallxo.com

‘Blej Shqip’ fushata e përbashkët e Kosovës dhe Shqipërisë

Kryetar i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi, priti në takim Kryetarin e Dhomës se Tregtisë dhe Industrisë të Shqipërisë, Nikolin Jaka, dhe Kryetarin e Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, Arben Shkodra.

Në këtë takim u fol për bashkëpunimin ekonomik në mes Kosovës dhe Shqipërisë, dhe për fushatën afatgjatë për ‘Blej Shqip’ të organizuar nga dy këto organziata.

Rukiqi tha se OEK synon për një marrëveshje konkrete dhe të mbajë dyert hapur me Shqipërinë.

“Vizita e ka pjesën simbolike që lidhet me zgjedhjen time kryetar dhe me zgjedhjen e strukturave të reja të OEK. Është vizita e parë nga homologët e odave të tjera dhe e përçon edhe mesazhin kryesor, objektivi kryesor i OEK dhe orientimi i parë dhe dera e parë që ne tentojmë të mbajmë hapur është Shqipëria. Në besojmë që para se të kalojmë me iniciative dhe para se të flasim për integrime apo marrëveshje të nivelit rajonal, ne duhet të kemi marrëveshje konkrete dhe bashkëpunim me Shqipërinë”, tha Rukiqi.

Kryetari i DHTI-së, Nikolin Jaka ka thënë se në takim kanë diskutuar për problematikat që ekzistojnë mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Jam i bindur që edhe qeveritë do ta kenë qasjen për të zgjidhur problematikat qe sipërmarrjet kanë sepse problematikat e tyre janë edhe të qytetarëve tanë, kështu që ne u dakorduam për shumë gjera dhe shumë shpejt do të dalim me një platformë bashkëpunimi, ku do të përfshihen edhe kërkesat ndaj qeverive tona përkatëse, të cilat kërkesa janë të përsëritura në mënyrë qe zgjidhim problemet që hasin sipërmarrjet tona”, tha Jaka.

Arben Shkodra nga Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë tha se ka shumë punë për të bërë dhe kërkoi nga qeveria të jenë ndihmuese dhe jo penguese ndaj prodhuesve, në mbërritjen e produkteve shqiptare në Kosovë dhe anasjelltas.

“Ne jemi të bindur dhe të sigurt që bashkëpunimi do të vijojë më shumë, prodhuesit shqiptarë kanë një bashkëpunim të mirë me grupin e prodhuesve të Kosovës dhe tani do fillojmë një bashkëpunim me OEK dhe besoj që në mes dy vendeve ka shumë për të bërë sa i përket prodhimeve vendore”, tha ai.