‘Black Friday’ e Deklarimit të Pasurisë

Dita e premte e 31 marsit 2017 pothuajse ka arritur në “prag të derës” duke shënuar kështu edhe skadimin e afatit për deklarimin e pasurisë.

Zyrtarët e lartë publikë duhet të mobilizohen që të kryejnë këtë obligim ligjor.

Përderisa numri i zyrtarëve të lartë që janë të obliguar të bëjnë një gjë të tillë ka shënuar rritje, me fanatizëm po ruhet tradita për deklarimin pasurisë në momentet e fundit.

Kjo tashmë po u ngjan të ashtuquajturave “Black Friday”, fushatave të ndryshme të marketingut të qendrave tregtare tashmë edhe në Kosovë, të cilat përmes uljeve të çmimeve të produkteve tentojnë të sjellin para arkave të tyre sa më shumë blerës.

Një “Black Friday”  pritet ta ketë edhe Agjencia Kundër Korrupsion (AKK) por të një  natyre tjetër.  AKK-ja pritet të vërshohet nga zyrtarë të lartë publikë të cilët atë ditë e kanë afatin e fundit për deklarimin e pasurisë.

Sipas të dhënave të AKK-së, deri me 27 mars pranë këtij institucioni deklarimin e pasurisë e kanë kryer vetëm 1 mijë e 994 zyrtarë apo as gjysma (44 për qind) nga gjithsej 4 mijë e 488 sa janë të obliguar ta bëjnë deklarimin e pasurisë.

Nga përllogaritja e thjeshtë i bie që nga dita e djeshme deri në të premten do të duhej që  mesatarisht rreth 623 zyrtarë të deklarojnë pasurinë që të respektohet afati ligjor.

Një praktikë e njëjtë e deklarimit të pasurisë në ditët e fundit të afatit është lënë edhe në vitin e kaluar.

E njëjta gjë kishte ndodhë edhe në vitin 2015, me ç ‘rast ish-kreu i AKK-së Hasan Preteni kishte kritikuar zyrtarët duke i cilësuar si dembelë.

Pak zyrtarë të lartë publikë po i drejtohen AKK-së ditëve të para të afatit kështu duke e lënë ditëve të fundit.

Rritet numri, ruhet tradita

Numri i zyrtarëve të lartë për deklarim të pasurisë sa shkon e rritet, por tradita e “trenit e fundit” mbetet e pandryshuar.

Vitin e kaluar, prej 4 mijë e 352 zyrtarëve sa kanë qenë të obliguar ta deklarojnë pasurinë, një gjë të tillë e kanë bërë 4 mijë e 319 zyrtarë apo mbi 99 për qind, apo vetëm 22 zyrtarë nuk e kanë kryer këtë obligim ligjor.

Në vitin 2015, prej 4 mijë e 200 zyrtarëve 4 mijë  125 e ka bërë deklarimin e pasurisë apo mbi 98 për qind.

Shpalosja e pasurisë

Me deklarimin e pasurisë zyrtarët e lartë bëjnë të ditur për publikun, pronat e paluajtshme të tyre, veturat, të ardhurat vjetore, obligimet,  paratë që kanë etj.

Presidentit të vendit Hashim Thaçi i janë rritur të hyrat prej se është bërë president. Në deklarimin e pasurisë të hyrat Presidentit iu shtuan për 16 mijë euro.

Kreui i qeverisë Isa Mustafa, kishte më pak para në bankë se një vit më parë, pasuria e tërësishme e Kryeministrit sipas formularit të deklarimit të pasurisë ishte mbi 681 mijë euro.

Në vitin e kaluar, kreu i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli kishte deklaruar se ka më shumë para në bankë se një vit më parë. Pasuria e përgjithshme e kuvendarit Kadri Veselit, zyrtarisht të deklaruar kap shifrën rreth 334 mijë euro.

Për dallim nga kreu i Kuvendit, ministrit të Punëve të Brendshme Skënder Hyseni vjet i kishte boshatisur llogaria. Por pasuria e përgjithshme e tij kalon 530 mijë eurot.

Ish-ministri i Pushtetit Lokal Ljubomir Mariq, i cili qe shkarkuar nga kreu i qeverisë në dhjetorin e vitit të kaluar, kishte deklaruar 129 mijë euro.

Edhe një ish ministër kishte deklaruar pasurinë. Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hpasinor (MMPH) Ferid Agani kishte deklaruar pasuri prej 292 mijë euro.

Pasurinë vjet e ka deklaruar edhe deputeti Fatmir Limaj i cili tregoi se ka pasuri në vlerën e 900 mijë eurove dhe pasuri tjera të luajtshme. Në anën tjetër deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, sipas regjistrit për deklarim të pasurisë doli të jetë pa shtëpi e pa veturë.

“Pasojat” e mosdeklarimit të pasurisë

Zyrtarët e lartë publikë janë të obliguar ta bëjnë publike pasurinë e tyre pasi për një gjë të tillë i detyron Ligji për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë.

Sipas ligjit, deklarimi i rregullt vjetor nga këta zyrtarë duhet të bëhet nga 1 marsi deri me 31 mars të çdo viti kalendarik. Për mosdeklarim përbrenda afatit, zyrtarët e lartë mund të gjobiten por edhe të përballen me kallëzime penale.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës  Shukri Buja ishte dënuar me 4 muaj burg me kusht dhe 2 mijë euro gjobë. Ish deputeti i PDK-së  Berat Buzhala në vitin 2015, Ishte dënuar me 1 mijë e 400 euro për mosdeklarim të pasurisë.

Po nga i njëjti subjekt politik, Nahit Hasani në janar të vitit 2015, ishte shpallur i pafajshëm.

E pafajshme është shpallur edhe deputetja e subjektit politik 6+ Duda Balje .

Për mosdeklarim pasurie, ose deklarim të rremë  të saj në gjykatë kanë përfunduar edhe zyrtarë të lartë publikë në nivelin lokal.

Shkrimet për mosdeklarim pasurie mund t’i lexoni këtu.