Bjen nga Ndërtesa, në Gjendje të Rëndë Ferizajasi

Një qytetar nga Ferizaji ka rënë nga një ndërtesë dhe policia rastin po e trajton si tentim vetëvrasje.

Ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 9:00, në rrugën “Vëllezërit Gërvalla”, në Ferizaj. Viktima është personi me inicialet B.I., i lindur më 1970.

Basri Shabani, zëvendësdrejtori i Policisë Rajonale në Ferizaj, ka thënë për KALLXO.com se rasti dyshohet si tentim vetëvrasje.

“Personi ka inicialet B.I., i lindur më 1970. Ngjarja ka ndodhur para afër një ore. Viktima është hedhur nga një ndërtese dhe dyshohet për tentim vetëvrasje”, tha ai.

Ndërsa, në një komunikatë, Policia citon dëshmitarët në vendin e ngjarjes, sipas të cilëve, personi kishte hipur vetë në ndërtesë dhe ishte hedhur nga kati i katërt.

Sipas Shabanit, personi është trajtuar në Qendrën Emergjente të Ferizajt, e më pas është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për trajtim.

“I njëjti është trajtuar në Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe pastaj është dërguar për trajtim në QKUK”, tha Shabani.

Sipas tij, nuk dihen ende motivet dhe se ekipet e policisë janë duke e ekzaminuar vendin e ngjarjes.

Gëzim Mustafa, nga Qendra Emergjente e QKUK-së, e ka konfirmuar për KALLXO.com se B.I., ndodhet në këtë klinikë dhe gjendja e tij është shumë e rëndë.

“Rasti është ekstrem i rëndë. Ne jemi duke u marrë me të dhe jemi duke bërë përpjekje maksimale”, tha ai.