Ilustrim

Biznes online i basteve ilegale në lokalin e veteranit pensionist të UÇK-së

Burime të KALLXO.com brenda Prokurorisë së Shtetit kanë konfirmuar se njëri nga bizneset ku u hasën lojëra ilegale të fatit në Gjakovë udhëhiqet nga një veteran i UÇK-së.

I njëjti sipas këtyre burimeve biznesin e ka vendosur në emër të një personi tjetër me qëllim që pensionin e veteranit ta gëzoj si person i papunë.

Të njëjtat burime kanë sqaruar se i njëjti ka pranuar në hetuesi se biznesi është i tij, ndërsa regjistrimin në emër të personi tjetër e ka kryer vetëm për t`i hapur vetes mundësinë që ta marrë pensionin e veteranit të UÇK-së.

KALLXO.com raportoi mbrëmë ekskluzivisht për aksionin e gjerë të Policisë së Kosovës në bastisjen disa lokacioneve dhe arrestimin e disa personave të dyshuar për veprimtari ilegale të lojërave të fatit.

Në mesin e bizneseve të bastisura, ishte edhe një ëmbëltore e kamufluar, ku brenda sajë dyshohet se ishte zhvilluar veprimtari ilegale e lojërave të fatit.