Bislimi: Viti 2018, të mos na përsëritet kurrë

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi në konferencën përmbyllëse të vitit 2018 tha që viti 2018 ka qenë një vit plot sfida e vështirësi.

“Ishte një vit që shumica prej nesh do të kishin vetëm një urim, të mos na përsëritet më kurrë. Po e përfundojmë këtë vit ku numërimi i skandaleve të Qeverisë dhe presidentit tonë u shndërruan në një hobi për shumicën prej nesh”, theksoi Bislimi.

Sipas Bislimit, viti 2018 ka qenë një vit ku Kosova ka dështuar të marrë liberalizimin e vizave, të anëtarësohet në Interpol dhe një vit ku i janë tërhequr një numër i njohjeve.

“Një vit ku vit për vit e javë për javë na u tha që liberalizimin e vizave e kemi të sigurt meqë u treguam shumë zemërgjerë me territor. Një vit ku si shtet dështuam për anëtarësim në Interpol. Dhe në vend që të rritet numri i njohjeve të pavarësisë jemi përballur me tërheqje të njohjeve”, ka theksuar Bislimi.

Po ashtu Bislimi përmendi edhe taksën 100 për qind e transformimin e FSK-së në ushtri si një tentim për t’i mbuluar skandalet.

“Një vit ku matja e të arriturave u bë shpejtësia e vrapit të kryeministrit dhe ecjet nëpër bjeshkë të presidentit si dhe rritja e ministrave nën akuzë. Një vit ku 11 muaj dështime e skandale u munduan t’i mbulojnë me një simbolikë të riemërimit të FSK-së në një ushtri pa buxhet dhe me taksën e vendosur për mallrat nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina”, ka thënë Bislimi.

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi ka përmendur statistikat e papunësisë, papunësinë e grave e të rinjve në Kosovë.

“Nga fillim i këtij viti, kur papunësia ishte 26.5 për qind në tremujorin e tretë shkoi në 37.7 për qind, një rritje e papunësisë prej 15.8 për qind brenda 9 muajve. 87 për qind e grave që nuk kanë asnjë të ardhur nga ekonomia. 55 për qind e burrave që shkojnë në shtëpi pa asnjë para në xhep. 347 mijë veta që kanë pasur fatin të kenë një punë prej tyre vetëm 1/10 janë nën moshën 24 vjeç, 1/3 e të rinjëve nuk i sheh as në shkollim, punësim, e trajnim, si t’i bindim ata që nuk duhet të migrojnë”, tha Besnik Bislimi.

Bislimi ka uruar që viti 2019 të jetë vit i kthesës.

“Cili është mesazhi i Vetëvendosjes? Viti 2018 iu ka kalitur sa viti 2019, nënkupton shpresë të re, rrugë të re, ne iu dëshirojmë vit të mbarë, le të jetë vit i kthesës”, ka thënë ai.

Bislimi ka përmendur që Vetëvendosja gjatë vitit 2018 është forcuar si subjekt me 5 mijë anëtarë të rinj dhe se në vitin 2019 do të vijnë me të njëjtën energji.

Ndërsa në rrafshin e jashtëm Bsilimi e ka përmendur si të arritur të Vetëvendosjes “ndaljen e presidentit Thaçi nga ideja e tij për shkëmbimin e territreve”.

“Arritja më e madhe në rrafshin e jashtë është ndalimi i aventurës së Thaçit. Ne kemi ndalë idenë, ideja ka qenë që në muajin maj, duke e lënë Thaçin të vet[m. Kjo kërkon nga ne masa dhe përgjigje të reja”, ka përfunduar Bislimi.